Teatri Kombëtar, mbyllet java me Pluhur mbi parvaz
Kjo vepër shqiptare e shkruar nga dramaturgu, Astrit Cani, u vu në skenë pasi për regjisorin sillte diçka të re dhe ndryshe nga veprat e tjera të para deri tani.
Premiera u shfaq sot në mbrëmje në sallën e Teatrit Kombëtar dhe do të rishfaqet sërish ditën e nesërme. Kjo është vepra e fundit teatrale që mbyll festivalin e teatrit për të rinj e cila zgjati një javë duke i dhënë kështu një mundësi aktorëve të rinj për të promovuar vlerat e tyre.
Subjekti i ngjarjes së kësaj drame është historia e një djali i cili vendosi të kthehet pas gjashtë vitesh në provincën ku ka pas jetuar.
Kalimi nga qyteti në provincë e bën atë t’i shohë gjërat me sy tjetër dhe të përjetojë një mori ndjenjash.
Ndërsa pret që me kthimin në shtëpi edhe problemet të mbarojnë, ndodh e kundërta.
Duke përjetuar boshllëkun e vendit të tij, Lensi arrin më në fund, të vendosë për jetën e tij: “Që nga ky moment, duhet vetëm të kërcej, sepse të rilindësh është më e dhimbshme se të vdesësh”.
Kjo është një dramë e cila merret me njeriun, ndjenjat dhe ndjesitë që përjeton ai. “Ishte shumë e vështirë të vihej në skenë një vepër shqiptare madje mund të konsiderohet sfidë, pasi dramaturgët tanë shkruajnë pa e njohur mirë teatrin”, u shpreh sot regjisori.
Sipas Muçës, kjo gjë ia vështirëson punën një regjisori pasi duhet të punojë shumë për ta sjellë në formën që duhet.
E reja e kësaj drame ishte përqendrimi i regjisorit në detajet e veprës të cilat sollën përpara syve të publikut momente të ngjashme me sekuencat filmike.
Çdo detaj nuk ishte zgjedhur në mënyrë rastësore por përcillte një mesazh të caktuar. Trupa teatrale përbëhej nga katër aktorë ku rolin kryesor e kishte aktorja, Julia Ilirjani, e cila kthehej pas 10-vitesh në Teatrin Kombëtar.
Pjesa tjetër e aktorëve, të cilët ishin sigurisht aktorë të rinj, ndiheshin mjaft mirë nga kjo mundësi që i ofroi ky eveniment. Hyrja, sikurse ditët e tjera, ishte e lirë për të gjithë dashamirësit e teatrit.
d.e/NOA