E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabanda e mallrave firmato, policia vë në pranga tre tregtarë

Tiranë, 15 Nëntor, 12:35, NOA - Kontrabanda e mallrave nga Greqia për në tregun e kryeqytetit ka çuar në pranga tre persona. Policia e Tiranës, bëri të ditur për agjencinë NOA, se strukturat e hetimit të Krimit, të sektorit Kundër Krimit -Financiar në Policinë e Tiranës, përgjatë ditës së sotme kanë arritur të finalizojnë një super operacion të suksesshëm i koduar Tregu i Medresesë, duke sekuestruar mall kontrabandë, kryesisht konfeksione si dhe duke vendosur nën pranga 3 persona. Sipas policisë, është marrë masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë ndaj: Oligert Jakupit, 30 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me punë në sektorin privat. Adriatik Kollonës, 37 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me punë në sektorin privat. Ilir Rrapaj, 37 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Fier, me punë në sektorin privat. Aksioni është bërë falë një pune të mirëfilltë operacionale. Gjatë hetimeve rezultoi se malli kontrabandë kryesisht konfeksione si (bluza, pantallona, pallto etj) dyshohet të kenë hyrë kontrabandë nga tre personat e sipërcituar, nga Pika e Kontroll Kalimit Kufitar Kapshticë. Përgjatë momentit të kalimit kufitar ato u kapën në flagrancë duke transportuar mallin kontrabandë me një kamion me targë VL 6434 C, me drejtim lëvizje Kapshticë - Tiranë. Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamion, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale : Bluza të llojeve të ndryshme 900 copë, pellushë të llojeve të ndryshme 450 copë, pantallona firmato 800 copë, kostume sportive 200 palë, pallto stofi 300 copë, xhupa dimërore të llojeve të ndryshme 700 copë, kostume për meshkuj dhe femra të llojeve të ndryshme 300 copë. Nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomik-Financiar u kryen menjëherë veprimet e para procedurale dhe materialet e përpiluara i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Tiranës, nën akuzën për konsumim të veprave penale të kontrabandës me mallra të tjera, tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë, si dhe ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë, të gjitha në bashkëpunim. Policia tha se po heton për zbardhjen e të gjithë aktivitetit të të ndaluarve. c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›