Mafia në futboll

Futbollistë nga liga elitare dëgjojnë për fatin e tyre duke shikuar në tokë, figura udhëheqëse të shoqatës së gjyqtarëve me pranga në duar shkojnë për t’u marrë në pyetje, gjithnjë e më tepër duket se nga futbolli në Kroaci ka mbetur pak. Por, nuk është vetëm Kroacia përjashtim për korrupsion.
Fatkeqësisht ky shtet vetëm është duke përcjellë trendin botëror. “Mafia ka hyrë në futbollin elitar dhe synon madje të marrë kontrollin e klubeve. Ndërsa trendi për kurdisje të ndeshjeve është gjithnjë e më tepër në rritje në shtetet më të vogla”, tha shefi i sigurisë në FIFA, Chris Eaton. Me gjasë ka të drejtë, por kurdisje ka edhe në Itali, Gjermani, Spanjë, që nuk janë shtete edhe aq të vogla.
“Pranoj, kam marrë para për kurdisjen e një ndeshjeje”, kishte pranuar të martën njëri prej gjyqtarëve më të mirë kinez, Juang Junjie, i cili shtoi: “E kurdisur ka qenë ndeshja miqësore mes Shenzes dhe Manchester Unitedit”. Shtete të mëdha, klube të mëdha, shtete të vogla, klube të vogla, duket se korrupsioni ekziston kudo. Dhe sigurisht se titujt dhe tifozët nuk janë të rëndësishëm në këtë aspekt. Të rëndësishme janë vetëm paratë.
“Këtë problem mund ta zgjidhin vetëm shtetet. Duhet të luftojnë kundër mafiozëve të basteve”, theksoi Eaton. Juventus u përjashtua në Serie B pas aferës Calciopoli, ndërsa në Itali ditë më parë u arrestua ish kapiteni i Atalantas, Cristiano Doni për kurdisje të ndeshjeve. Presidenti i Fenerbahces është në burg, në Spanjë rreth 300 futbollistë kanë qenë nën hetime. Zviceranët i tronditi “rasti Travnik”. Vështirë është të gjendet ndonjë shtet ku nuk kishte afera, hetime ose dyshime serioze. E tifozët vazhdojnë të brohorasin.
Greqi – dy klube përjashtohen nga liga
Për kurdisje të ndeshjeve, grekët në prag të këtij sezoni përjashtuan nga liga Olympiacos Volosin dhe Kavalan.
Austri – hetohet një ndeshje e Sturmit
Para përfundimit të sezonit të kaluar e dyshimtë ishte ndeshje e Sturm Gratzit me Vienna FC, por në fund nuk u gjetën fakte për kurdisje.
Belgjikë – arrestohen 31 futbollistë
Nëntë futbollistë të Liersit u arrestuan në aferën e madhe të vitit 2005. Belgjika ishte e tronditur, të përfshira ishin edhe disa klube tjera.
Zvicër – hetohen 300 futbollistë
Nëse nuk e bëjnë vetë, ka kush të kurdisë ndeshje edhe në futbollin zviceran. Skuadra nga Bosnja e Hercegovina, Travnik zhvilloi një ndeshje miqësore me Sionin. E kurdisën.
Spanja – hetohen 300 futbollistë
Spanjollët kanë zbuluar se janë kurdisur disa ndeshje të ligës së katërt, ndërsa pjesë e aksionit të hetimeve ishin edhe futbollistë nga La Liga.
Italia - Doni solli Calcipolin e ri
Ish reprezentuesi italian, Cristiano Doni kurdisi ndeshje dhe tregoi se Italia ende nuk është stabilizuar nga viti 2006, kur ishte tronditur nga skandali i madh Calciopoli.