E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Demokratike do të caktojë emra të rinj

19/01/2009  Ndryshimet në përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Partia Demokratike do të ndërrojë përfaqësuesit e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionin përgjegjës për organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore në vend. Kryetari i grupit parlamentar, njëherësh dhe nënkryetar i PD-së, Astrit Patozi, ka pohuar se demokratët do të caktojnë emra të rinj në KQZ. Ai nuk ka dhënë asnjë emër konkret që do të zëvendësojë anëtarët aktualë, të cilët kanë pozicionin e komisionarit falë mbështetjes së PD-së. Gjithsesi Patozi ka nënvizuar për “Metropol” se në partinë e tij kanë nisur të etiketohen disa personalitete, të cilët mund të jenë në një ardhme të afërt përfaqësuesit e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ndryshimet në KQZ, sipas Kodit të ri Zgjedhor, të miratuar me konsensusin e gjerë mes partive të mazhorancës dhe atyre të opozitës, duhet të përfundonin brenda këtij muaji. Por një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Patozi u shpreh se ndryshimi i përbërjes së institucionit të KQZ-së do të ndodhë në muajin shkurt. Dukej lehtë se për këtë pikë nga PD nuk ka ndonjë nxitim. E njëjta situatë edhe nga partia më e madhe e opozitës, Partia Socialiste. Gjatë mbledhjes së Konferencës s Kryetarëve, zhvilluar të enjten e javës së kaluar, u miratua kalendari trejavor i punimeve të Kuvendit. Në këtë kalendar trejavor pune nuk u përfshi shqyrtimi dhe votimi i ndryshimeve në KQZ. Kështu, ligjvënësit nga të dy krahët e politikës shqiptare nuk përcjellin asnjë shqetësim apo nxitim në lidhje me riformulimin e KQZ-së, i cili do të administrojë procesin e ardhshëm zgjedhor. Kanë qenë krerët e grupeve parlamentare, të cilët në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve dhanë bekimin e shtyrjes së votimit për përbërjen e re të KQZ-së, megjithëse në Kodin Zgjedhor që kishin miratuar me konsensus votimi duhej bërë deri më 31 janar.

Përbërja e KQZ-së

Kodi i ri Zgjedhor përcakton saktësisht se si do të jetë përbërja e re e KQZ-së. Në nenin 14 të Kodit thuhet se dy anëtarë propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve nga partitë e shumicës parlamentare dhe 2 anëtarë nga partia e opozitës parlamentare që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë anëtari i pestë dhe i gjashtë i Komisionit zgjidhen nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare dhe pakicës parlamentar, përjashtuar PD-në e PS-në. Sipas Kodit, deri në ditën e emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së qëndrojnë në detyrë anëtarët aktualë të këtij institucioni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›