Tedi Papavrami interpreton në TOB
Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri organizon më 9 maj koncertin "Një udhëtim muzikor në Evropë".
Në këtë ditë që i kushtohet Evropës, në orën 19:00, në Teatrin e Operës dhe të Baletit, interpreton violinisti Tedi Papavrami, nën drejtimin e dirigjentit grek Alkis Baltas.
Programi i mbrëmjes muzikore përmban pjesë nga kompozitorë të njohur botëror, si Bethoven, Paganini, Dvorak, etj. Gjithashtu, Papavrami, i shoqëruar nga orkestra e TOB-it, ekzekuton edhe himnin shqiptar.
Pacientë të çuditshëm në TK
Në Teatrin Kombëtar sot shfaqet komedia premierë "Të gjithë me huqe", shkruar nga francezi Laurent Baffie. Një doktor psikolog lë takim në të njëjtën orë me pesë pacientë. Gjithçka ndodh në sallën e pritjes, tregohet dhe interpretohet nga aktorët Viktor Zhusti, Roland Trebicka, Rajmonda Bulku, Olta Daku, Genc Fuga, dhe Ermela Teli. Regjisor i shfaqjes është Gëzim Kame.
GKA-ja tregon 120 vjet histori pikture
Galeria Kombëtare e Arteve, sot në orën 18:00, përuron Linjën Muzeale, "120 vjet art i pikturës dhe skulpturës në Shqipëri, nga fundi i shek. XIX deri në fund të shek. XX".
Linja përfshin një periudhë prej gati 120 vjetësh. Fillon në vitin 1883, me portretin "Motra Tone" të Kolë Idromenos dhe përfundon në fillim të viteve 2000.
Linja muzeale tregon rrugën që kanë përshkuar artet pamore në Shqipëri. Përmban gjashtë seksione, "Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare", "Artin e Rilindjes dhe të Pavarësisë", "Piktura Realiste dhe Shkolla e Vizatimit" (1930-1950), "Piktura e skulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950- 1986)", "Realizmi Socialist, Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960-1986)" dhe "Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)".
"Heshtja e Lornës" në Kosovë
Një vit pas premierës botërore në Festivalin e Kanës, filmi "Heshtja e Lornës" i vëllezërve belgë, Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, shfaqet në Kosovë, në atdheun e protagonistes Arta Dobroshi. Lajmin e bën të ditur "New Kosova Report".
Sipas agjencisë, pikërisht dje kur filmi duhet të jetë shfaqur premierë, pritej të vinin në Prishtinë edhe regjisorët, ndërkohë që aktorët kosovarë, Arta Dobroshi dhe Alban Ukaj, kanë mbërritur disa orë para shfaqjes në kinemanë ABC të kryeqytetit të Kosovës.
Në program të vizitës së Dardanne-ve në Prishtinë, ishte dhe një takim me ministrin e Kulturës, Valton Beqiri.
"Heshtja e Lornës", i vlerësuar me "Palmën e Artë" për skenarin më të mirë në Festivalin e Kanës, do të shfaqet për disa ditë në këtë kinema.
Koret Evropiane të Dhomës nëpër Shqipëri
Në datat 8-10 maj, në qytetet Shkodër, Korçë, Fier dhe Tiranë, zhvillohet edicioni i 3-të i Festivalit Evropian të Koreve të Dhomës i Shqipërisë. Marrin pjesë kore nga Gjermania, Greqia, Holanda, Italia, Kosova, Kroacia dhe Shqipëria. Tradita korale shqiptare përfaqësohet nga Kori Prenk. Jakova dhe Rozafa Expression të qytetit të Shkodrës, si dhe kori Lyra i Korçës.
Repertori i koreve kryesisht është i lirë, i larmishëm, duke filluar nga muzika religjioze, muzika etnike dhe tradicionale, këngë patriotike, muzikë romantike-klasike- kontemporane, deri tek Gospel e muzikë argëtuese.
Ndërtimi i repertorëve është pasuruar edhe me kriterin e njohjes së muzikës shqiptare, duke vendosur si pjesë të detyruar kompozimin e Simon Gjonit i arranxhuar nga Gjon Simoni "Luleborë".
Gjithashtu, koret do të kenë të përbashkët dhe "Oden e Gëzimit" nga Simfonia e Nëntë e Beethoven-it, e cila ka marrë tashmë të drejtën e Himnit të Bashkimit Evropian dhe që do të këndohet në mbrëmjen finale të festivalit, së bashku me himnin e Shqipërisë, më 10 maj 2009, në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Festivali i Koreve të Dhomës organizohet nga shoqatat "Syri Blu" dhe "Miqtë e Muzikës", me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë dhe të bashkive të Korçës e Shkodrës.