Burg pa afat për pesë të arrestuarit e Operacionit "Kështjella"
Tre gjermanët dhe dy shqiptarët e arrestuar do të qëndrojnë në burg deri në fund të hetimit
TIRANË - Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e arrestit burg pa afat për pesë të arrestuarit e Operacionit "Kështjella", që u arrestuan në fillim të majit me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Tre gjermanë dhe dy shqiptare që u kapën nga policia me 40 kg heroine që po transportonin për jashtë Shqipërisë do të qëndrojnë në burg, derisa ndaj tyre të përfundojë procesi i plotë gjyqësor.
Daniel Englert, Franz Kiacsek dhe Regina Kiacsek, të tre shtetas gjermanë, bashkë me dy shqiptarët Albert Pëllumbaj dhe Zaim Tafa kanë marrë dje me vendimin e Gjykatës së Krimëve të Rënda të Shkallës së Parë masën e arrestit burg pa afat, vendim ky i komunikuar nga njëra prej gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Policia arrestoi në vende të ndryshme pesë personat që kishin organizuar trafikun e drogës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe Italisë.
Arrestimi i të akuzuarve nga Prokuroria e Krimeve të rëndë u realizua më 2 maj, ku dy shqiptarët u ndaluan në qytetin e Fierit, dy shtetasit gjermane, Franz Kiacsek dhe Regina Kiacsek u arrestuan në Kakavijë gjatë kohës që po transportonin në drejtim të shtetit fqinj 40 kg heroinë.
Ndërsa Daniel Englert që sipas Policisë, dyshohet të jetë organizatori i trafikimit të 40 kg lëndë narkotike e llojit heroinë dhe blerësi i saj në qytetin e Fierit u arrestua në ambientet e Aeroportit të Rinasit në momentet që po tentonte të largohej në Gjermani.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton pas arrestimit të 3 gjermanëve dhe dy shqiptarëve, për mënyrën se si funksiononte trafiku i lëndëve narkotike në drejtim të dy shteteve fqinje, të Greqisë dhe Italisë.
Kapet drogë dhe celularë në burgun 302
Tiranë- një sasi marijuane prej 24 gramësh dhe dy aparate të telefonisë së lëvizshme janë bllokuar dje nga policia në burgun 302, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e autorëve që kanë futur lëndën narkotike në burg.
Droga dyshohet se është hedhur me forcë krahu nga jashtë murit rrethues i institucionit të riedukimit. Autorët kanë menduar se mundeshin të kalonin në këtë mënyrë distancën prej 14 metrash nga muri i jashtëm, deri në shesh-pushimin e fjetinave, ose siç quhet ndryshe distancën e "brezit të butë" të sigurisë.
Pesha e pakët e hashashit duket se ka ndikuar në mosgoditjen në shenjë nga ana e personave që e kanë hedhur nga jashtë. Pas gjetjes së lëndës narkotike nga policia e burgut, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe efektivët e antidrogës së policisë së Tiranës. Ata kanë marrë lëndën narkotike si dhe kanë bërë këqyrjen e telefonave dhe të qeses në të cilën ndodhej droga.