Kartat, qeveria shkel marrëveshjen me PS
Në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar që 25 mijë zgjedhës të mos pajisen me karta.
TIRANË- Ka nisur me shkelje të njëanshme zbatimi në terren i kompromisit të arritur ditë më parë mes dy forcave të mëdha politike për çështjen e letërnjoftimeve elektronike.
Në ditën e parë të zbatimit të vendimit të qeverisë, që doli pas kësaj marrëveshjeje, është vënë re dhe një pengesë jo pak e rëndësishme, që kanë nxjerrë zyrat e Postës Shqiptare, për kategorinë e personave që nuk kanë pasaportë dhe që nuk gjenden në listën e publikuar nga Ministria e Brendshme.
Partia Socialiste, me anë të nënsekretarit të saj për çështjet ligjore, Damian Gjiknuri, i cili ka qenë dhe negociatori socialist i marrëveshjes për kartat, ka denoncuar dje për mediat një shkelje të rëndë në zbatimin e këtij vendimi, që ka të bëjë me detyrimin e kësaj kategorie shtetasish që të sorollaten komisariateve të policisë për të marrë vërtetimin, se nuk janë të pajisur me pasaportë.
Sipas Damianit, nuk dihet nëse është thjesht një gabim teknik apo një gjë e qëllimshme, por është fakt se në zyrat e postës, vendimi i qeverisë ka mbërritur i transformuar, ku në fjalinë që përcakton hapat që duhet të ndjekin zgjedhësit pa pasaportë që s'janë në listën e Ministrisë së Brendshme, lidhëza "ose" është zëvendësuar me lidhëzën tjetër "dhe", duke ndryshuar në këtë mënyrë krejt kuptimin dhe duke bërë të detyrueshëm për këta qytetarë që, përveç lëshimit të deklarimit që s'kanë pasaportë, duhet të pajisjen me doemos me vërtetim nga komisariati i policisë së rrethit ku bëjnë pjesë, se ata nuk zotërojnë një mjet të tillë identifikimi.
Gjiknuri ka konfirmuar se në momentin e arritjes së marrëveshjes nuk është patur parasysh një gjë e tillë, por është lënë si mundësi që kjo kategori shtetasish të mund të bënin vetëm deklaratën personale, e cila të dorëzohej në zyrën e postës për marrjen e kuponit. Ndërsa, për sa i përket vërtetimit nga komisariati, kjo është lënë si variant për ata persona që mund ta sigurojnë atë, por jo si një detyrim.
"Theksojmë që kjo kërkesë është në kundërshtim me vendimin në fjalë, pasi shtetasi duhet vetëm të nënshkruajë formularin përkatës që nuk disponon pasaportë. Një pengesë e tillë artificiale është një përpjekje tinëzare për të mos pajisur shtetasit me kuponë për aplikim", - tha Gjiknuri në deklaratën për mediat.
Sipas selisë rozë, në shumë agjenci postare dhe, konkretisht në ato të njësive 1, 2, 4, 5, 7, 9, 11 në Tiranë, shtetasit pa pasaportë, që nuk e kanë emrin në listat e Ministrisë së Brendshme, gjatë ditës së djeshme nuk janë pajisur me kupon kundrejt tarifës 200 lekë, me pretekstin se duhet të dorëzojnë një vërtetim nga policia se nuk disponojnë një të tillë.
Partia Socialiste është gjithashtu thellësisht e shqetësuar se akoma në 38 njësi vendore nuk janë hapur zyra aplikimi, duke rrezikuar seriozisht që mbi 25 mijë zgjedhës në këto njësi të mos kenë mundësi të pajisen me dokumentin e kërkuar.
Një tjetër kritikë e selisë rozë ka ardhur edhe për premtimin e pambajtur të Kryeministrit për transport falas, për ata shtetas që stacionet e aplikimit i kanë larg vendbanimeve të tyre.
"Denoncojmë heshtjen e Ministrisë së Brendshme në lidhje me kërkesat e anëtarëve të opozitës në komisionin ad-hoc, sidomos për fatin e pasaportave të vjetra që ndodhen akoma në magazinat e Ministrisë së Brendshme dhe procedurat që po ndiqen me to", - tha Gjiknuri, i cili ka theksuar se çdo heshtje në këtë drejtim hedh hije të forta dyshimi në lidhje më shpërndarjen e tyre në mënyrë jo ligjore për efekte votimi.
Nisur nga një situatë e tillë e paqartë, PS-ja i ka bërë thirrje qeverisë që të angazhohet në zbatimin e asaj marrëveshjeje për të cilën u ra dakord dhe detyrimeve që i lindin nga vendimet e që ajo vetë ka nxjerrë.
Në të kundërt, PS-ja kërcënon se do të rishikojë vendimin e saj për zgjedhjet e ardhshme elektorale. "PS-ja është seriozisht e angazhuar që ky proces të përfundojë një orë e më parë, por nëse situata në terren nuk përmirësohet dukshëm në ditët në vijim, ne jemi të detyruar të rishikojmë qëndrimin tonë politik në lidhje me zgjedhjet", - tha Gjiknuri.