Teheran, policia ka arrestuar të paktën 500 protestues
Këtë fakt e ka bërë të ditur vetë shefi i policisë, Esmail Ahmadi-Moqaddam, duke paralajmëruar se nga sot e tutje policia do të tregohet më e ashpër me protestuesit. "Pesëqind persona u arrestuan nga policia ditën e diele në Teheran. Por, Ministria e Shërbimeve Inteligjente dhe organizata të tjera qeveritare mund të kenë kryer arrestime të tjera. Një pjesë e të arrestuarve tashmë janë liruar ", deklaroi Ahmadi-Moqaddam, i cituar nga agjencia e lajmeve "Fars". Ndërkohë, mediat opozitare bëjnë të ditur se përgjatë ditëve të fundit janë arrestuar me qindra protestues në të gjithë vendin, ku vetëm në Isfahan janë arrestuar mbi 400 vetë.