E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teherani padi kundër Holivudit

Filmi “Argo”, fitues i çmimit Oscar si filmi më i mirë dhe një sërë çmimesh të tjera, përfshirë ato Bafta që iu dorëzua regjisorit të tij, Ben Affleck si regjisori më i mirë, mund të jetë në qendër të një padie ndërkombëtare të ngritur nga Irani.

“Argo” flet për përpjekjet e agjentit të CIA-s, Tony Mendez për nxjerrjen gjallë nga Irani të 6 pengjeve amerikane të bllokuar në Teheran gjatë asaj që njihet si “kriza e pengjeve” në vitin 1979, kur protestat popullore rrëzuan regjimin e Shah-ut dhe vendosën Republikën Islamike.

Shtypi në Iran flet për një padi kundër gjithë Holivudit dhe kinemasë amerikane ku baza do të jetë “Argo”.Sipas TCH, Teherani pretendon se filmi nuk jep një tablo reale të situatës në Iran dhe se ka deformuar faktet historike.

Agjencia e lajmeve FARS shkruan se dhënia e cmimit Oscar për “Argon” ka qenë një vendim i frymëzuar politikisht dhe si provë për këtë përmend dorëzimin e cmimit nga Zonja e Parë të Shteteve të Bashkuara, Michelle Obama.

Përfaqësuesja ligjore e Teheranit në padinë që mund të ngrihet brenda pak javësh, pritet të jetë avokatja franceze, Isabelle Coutant-Peyre, e bërë e famshme për martesën e saj me terroristin venezuelian, Ilich Ramirez Sanchez, i njohur ndryshe si Carlos “Çakalli”./Indeksonline/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›