Kamza e merr shtruar ndeshjen e Kupës me Kastriotin
Primar për kamzalinjtë mbetet kampionati, ku fitorja e fundit me Bylisin u ka dhënë shpresë, prandaj ndaj krutanëve do të luhet lirshëm dhe pa presion
Humbja 2-1 në shtëpi me Tiranën, që ishte ndeshja e tretë në turin çerekfinal të edicionit të 60-të të Kupës së Shqipërisë, bëri që kamzalinjtë të përqendrohen kryesisht në kampionat. Para këtij derbi, i cili përfundoi në mënyrë enigmatike 1-2, Kamza luftonte në të dy frontet, por më pas u mendua që ndeshjet e mbetura në grup tu shërbenin përgatitjeve për ndeshjen e radhës në kampionat.
Para një jave në sfidën e katërt të grupit, sërish ndaj bardhebluve, trajneri De Vekis u dha hapësirë edhe disa elementëve që kishin luajtur më pak. Ky administrim forcash bëri që skuadra tu kthehej fitoreve në kampionat pas katër muajsh. Në kuadrin e kësaj politike, ku sigurimi i mbijetesës në kampionat mbetet primar, dy ndeshjet e mbetura në grupin çerekfinal shikohen si ndeshje kontrolli për sfidat e fundjavës.
Sot, në orën 14:00, Kamza do të presë në fushën e saj Kastriotin, i cili me katër pikët që ka synon kalimin në gjysmëfinale. Grupi A, ku bëjnë pjesë blutë, kryesohet nga Tirana me 10 pikë, më pas vjen Bylisi me 5, Kastrioti me 4 dhe e mbyll Kamza me 2 pikë. Duke ditur se kanë mbetur edhe 2 ndeshje në grup, ekzistojnë mundësitë matematike edhe për Kamzën që të synojë vendin e dytë, pozicion që të siguron gjysmëfinalen.
Duke ditur se nuk ndodhen në pozita të mira në kampionat, kamzalinjtë nuk do të kalojnë në aventurë, por do të provojnë duke luajtur lirshëm dhe pa presion. Pas fitores me Bylisin, trajneri Mauro De Vekis pohoi se Kamza do ti marrë me radhë të dy ndeshjet. E rëndësishme ishte fitorja me Bylisin, e cila na e shton optimizmin, sepse u shfaq sërish ai ekip që kisha para ndeshjes së parë të kupës me Tiranën.
Ndeshjet do ti marrim me radhë, ndonëse dihet se objektivat madhorë i kemi në kampionat. Së pari, mendojmë për Kastriotin, sfidë e vlefshme për kupën dhe të mërkurën në darkë do të nisim të mendojmë për transfertën e Fierit, e vlefshme për javën e 17-të kategorisë superiore,- u shpreh trajneri i Kamzës Mauro De Vekis pas fitores 1-0 me Bylisin.
Sigurisht që kjo sfidë e sotme me Kastriotin nuk e vë para presionit grupin, kështu që trajneri do të vendosë para ndeshjes se kush do të luajë. Me shumë mundësi do të ketë hapësira për ata lojtarë që janë aktivizuar më pak. Padyshim që ekipi ka edhe probleme dëmtimesh dhe këta lojtarë nuk pritet në jenë në fushë ndaj krutanëve.
Marjan Belçev Mesfushori Marjan Belçev është i sigurt që nuk do të luaj sot në ndeshjen e kupës, kjo për faktin se maqedonasi vijon riaftësimin. Ndaj Bylisit Belçev ka luajtur me sforco dhe menjëherë pas kësaj ndeshjeje lojtari ka udhëtuar sërish drejt Maqedonisë, ku po vijon riaftësimin.
Ndonëse nuk do të jetë prezent ndaj krutanëve, është e sigurt që Belçev do të jetë i gatshëm për përballjen e fundjavës me Apoloninë. Dje kamzalinjtë kanë kryer një seancë stërvitore, që është e para për këtë javë dhe me këtë përgatitje mbyllet puna për ndeshjen me Kastriotin, takimi i cili luhet sot në orën 14:00 në stadiumin e Kamzës.
