Vendi për memorialin, krejtësisht i gabuar

Memoriali i Nënë Terezës dhe problemet që lindin. Një ndërtim në atë vend dëmton, rëndë nga ana urbanistike krejt ansamblin, i cili është shpallur Monument Kulture. Sa për projektimin: përse grupi i punës nuk shpall konkurs kombëtar apo ndërkombëtar?
Nga shtypi mora vesh se është ngritur një grup pune për realizimin e Memorialit të Nënë Terezës që përkon me 100-vjetorin e lindjes.
Me sa kuptohet nga deklaratat aspak teknike të grupit të punës, është fjala për ngritjen e një memoriali (një sallë me muze brenda), dhe zhvendosjen e skulpturës që është në krahun e djathtë të sheshit para korpusit. Kuptojmë gjithashtu se ky memorial do të ngrihet në hapësirën midis Rektoratit dhe Qendrës Albanologjike.
Gjithmonë me çudisin urdhrat dhe prononcimet për ndërhyrje, ndryshime, dhe zhvendosje të gjërave më të rëndësishme, që përcaktojnë hapësirën.
Është territori që krijon shtetin, dhe jo shteti territorin.
Dëmi që i kemi sjellë territorit tonë është i pallogaritshëm dhe i pakthyeshëm.
Të mërkurën e kaluar po udhëtoja nga Tirana për në Berat për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të degës së Bankës Kombëtare në rrugën e kalasë. Është një ndërtim perfekt në harmoni me malin, me kalanë, me qytetin, me arkitekturën tradicionale dhe atë moderne.
Por rrugës nga Kombinati në Ndroq, më tej në Durrës, pastaj drejt Kavajës, duke shkuar për në Rrogozhinë, Lushnjë dhe deri në Berat, anës rrugës nacionale deri thellë kodrave janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen me mijëra e mijëra ndërtime pa asnjë bukuri, pa asnjë rregull, pa asnjë harmoni, pa asnjë lidhje me njëra- tjetrën dhe me natyrën.
Ky kaos nuk zhbëhet më.
Kështu është gjithë Shqipëria ngado që të hedhësh sytë.
Ne si popull na mungon KULTURA TEKNIKE. E pra, kjo kulturë është baza e zhvillimit të shteteve moderne. Gjithë Europa ku duam të futemi bazohet këtu, në shkencë dhe teknikë. Arti dhe letërsia me kohë e kanë humbur prioritetin. Dhe të gjitha, shkenca, teknika, arti, mishërohen së bashku në arkitekturën dhe urbanistikën.
Ato krijojnë fytyrën e shtetit. Këtë nuk duam ta kuptojmë.
Zgjidhjet dhe vendimet më të gabuara dhe diletante i kemi bërë pikërisht këtu.
Memoriali dhe skulptura kërkohet të vendosen në Sheshin "Nënë Tereza".
Në kryeqytet kemi dy sheshe të mëdha, "Nënë Tereza" dhe ai "Skënderbe".
Të parin e kanë projektuar arkitektët italianë, kurse të dytin kryesisht shqiptarë.
Sheshi i parë është perfekt nga volumet, lidhja me qytetin dhe kodrat, drejtimi i lëvizjes këmbësore dhe automjeteve, distancat midis objekteve, çarjet për qarkullimin e ajrit dhe shikimin njerëzor drejt vlerave të qytetit sikurse është mali i Dajtit. Është sheshi më i bukur i Shqipërisë dhe një nga shembujt më të mirë të një arkitekture racionale në Ballkan dhe Europë.
Ky shesh është fundorja e një bulevardi që ish i mrekullueshëm.
Sheshi "Skënderbe" është shembulli më i dështuar i një sheshi si fushë bilardoje, i ndërtuar në mënyrë amatore, ve e shto, i komanduar dhe i urdhëruar nga politika delirante komuniste.
Tani, dalëngadalë, vendim pas vendimi, duam edhe atë sheshin e bukur "Nënë Tereza" ta prishim, sikurse vepruam me Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ndërtimi i dy kullave i dha fund asaj mrekullie, dhe kjo u bë me koshiencë.
Pastaj vazhduam me Stadiumin Kombëtar që është kthyer në Qendër Tregtare edhe me një fushë, për mëshirë.
Po nuk u mjaftua vetëm me kullat. Tani ka marrë fund edhe Piramida.
Jam futur disa herë të shoh ndryshimin, është vërtet një katastrofë.
Piramida kish një volum dhe dritë krejt të ndryshme nga çdo objekt tjetër në Shqipëri.
Drita që vinte nga lart, hapja volumore dhe qarkullimi spiral drejt majës ishin një zgjidhje perfekte. Kjo lejonte që ajo të shërbente më së miri për çfarëdo lloj aktivitetesh, panaire, mbledhje, paradë mode, koncerte, etj, etj. Kjo magji u prish.
Tani sapo hyn, ke mbi kokë një konstruksion kapriatash metalike. Tërë shpenzimet që po bëhen janë vetëm për të prishur punë.
Piramida kish nevojë për një rikonstruksion, duke e pajisur me teknologji moderne për një sallë polivalente por pa ndërhyrë në zgjidhjen planimetrike që kish.
Po Ministrat e Kulturës sa herë ndërrohen, duan të bëjnë çudira, dhe çuditë na dalin ca monstra.
Një ministër tjetër preu në dysh sallën e bukur e perfekte të Lidhjes së Shkrimtarëve. Po ky, donte të ndërtonte një Teatër Piramide Xhami atje ku sot duan të ndërtojnë memorialin.
Ne të keqen e kemi nga trupat teatrore dhe jo nga sallat. Kemi tetë salla, edhe dy verore që shfrytëzohen afro 20% të kohës. Dhe çuditërisht duam salla! Përse?
Nëse veprohet edhe në të ardhmen kështu, do të dëmtojmë dhe vetëm do të dëmtojmë.
Është një dëm i madh objekti që po ndërtohet në sheshin para Sheratonit, në atë lulishte të vogël me vendim të KRT Tiranës.
Më vjen keq edhe për emrin e projektuesve Gjergj Uruçi dhe Agim Myftiu. Është e pafalshme. Ky ndërtim tjetërson krejt atë shesh para Stadiumit. Zihet perspektiva dhe tërë ajo pamje e bukur e Sheratonit nga sheshi, dhe e sheshit nga kafet e Sheratonit u ndërpre. Më e pakta që mund të themi është se jemi të paaftë dhe të pandërgjegjshëm. Flas për profesionistët, për urbanistët dhe arkitektët.
Zhvendosja e monumentit të Nënë Terezës nga vendi ku është në shesh, është problem më i lehtë. Me sa di, monumenti u vendos aty sepse nuk dha ato rezultate që pritej. Monumentet nuk janë poezi dhe autorët nuk kanë përse na recitojnë vargje për (kënd)shikimin. Sepse shumë shpesh artistëve tanë u ngelet në mendje ajo që kanë dashur të bëjnë dhe jo ajo që ata kanë bërë.
Monumenti i Nënë Terezës nuk e ka as shikimin mëshirues-përdëllyes dhe sidomos përulës dhe vetsakrifikues, as gjestin e saj pritës jo te hapur. Nënë Tereza ishte një figurë e mbledhur me gravitacionin e një imazhi të tharë nga dhimbja dhe dashuria për njerëzit. Ajo kishte një siluetë mijëvjeçare që takohen rrallë. Kjo nuk është dhënë, megjithatë është më e mira nga skulpturat që janë bërë.
Kur kujtoj monumentin e Rinasit më shkojnë të dridhura. Nuk besoj të ketë aeroport në botë me një monument aq të shëmtuar. Me këtë rast duhet parë edhe mundësia e heqjes së këtij monumenti. Ai monument nuk na nderon, nuk po flas për autorin, se ai mesa duket nuk di ç'ka bërë dhe nuk e ka kuptuar akoma.
Vendi i zgjedhur për memorialin e Nënë Terezës nga ana urbanistike është krejtësisht i gabuar. Ai dëmton rëndë krejt ansamblin, i cili është shpallur Monument Kulture. Ajo hapësirë është konceptuar si filtër midis sheshit qendror dhe sheshit të dytë para stadiumit. Ai është lënë i çarë dhe me një seri kolonadash; kështu humbet edhe sensi i vet kolonave.
Çarja është lënë edhe për të parë malin e Dajtit dhe për të komunikuar vizualisht me Stadiumin. Pastaj vetë memoriali do të ketë një konkurrencë volumesh të papërballueshme nga objektet përqark.
Dua të theksoj edhe problemin e projektimit. Na thuhet shpejt e shpejt se projekti është bërë nga Marin Biçoku, bile ky na e paska bërë falas.
Nëse ky konkurs është kaq i varfër sa nuk ka pare për projektin, nga do t'i gjejë për ndërtimin?
Pastaj përse grupi i punës nuk shpall një konkurs pa shpërblim, falas?
Në këto raste ose shpallet konkurs kombëtar apo ndërkombëtar ose i jepet një arkitekti të njohur. Por çfarë veprash njohim nga Biçoku? Unë nuk njoh asnjë.
Thuhet një sallë me muze brenda: po ku janë objektet që do të ekspozohen?
Pastaj, si është e mundur që në grupin e punës nuk ka asnjë përfaqësues të lartë të klerit katolik në Shqipëri?
Dua të rikujtoj dështimin e Obeliskut. Një vit më parë qeveria dha urdhër për ndërtimin e një Obelisku, për të përkujtuar viktimat e diktaturës në sheshin para Piramidës. U thane afate dhe bashkë me to plot fjalë ngazëllyese.
A u bë obelisku? Jo, dhe më mirë që nuk u bë, se obeliskët ndërtohen për fitimtarët dhe jo për të vuajturit.
Mos edhe këtë radhë jemi të destinuar të dështojmë?