E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët e Burgjeve kryeministrit: S'marrim pagesat

BURGJET

Grupi i Togës së Shoqërimit të Burgjeve prej 15 muajsh nuk kanë marrë pagesat për punën e realizuar jashtë orarit dhe dietat e shërbimeve


Kreu i Burgjeve Dibra: Nuk kam dijeni për peticionin. Ka pasur një problem me orët jashtë orarit por që është zgjidhur


TIRANË- Një grup punonjësish të togës së shoqërimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që merren me kontrollet në burgje dhe transferimet e të paraburgosurve dhe të dënuarve ankohen te kryeministri Sali Berisha, për mos marrjen e pagesave të punës jashtë orarit që prej 15 muajve dhe dietat e udhëtimeve jashtë kryeqytetit që nga fundi i nëntorit.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Avokatit të Popullit dhe vetë disa nga nënshkruesit e këtij peticioni dërguar kryeministrit, Ministrisë së Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas këtyre burimeve, mësohet se rreth 30 punonjës të kësaj toge të shoqërimit i janë drejtuar këtyre institucioneve duke i kërkuar ndërhyrjen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për zgjidhjen e këtij problemi të trashëguar që nga vitit 2008.


Mësohet se ky peticion i është dërguar edhe në adresë të ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani dhe vetë Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, nga të cilët sipas tyre nuk kanë marr ndonjë përgjigje. "Për herë të fundit, kemi marrë pagesat e punës jashtë orarit në fund të muajt nëntor 2008 dhe që nga atëherë nuk kemi marrë asnjë pagesë për punën jashtë orarit edhe pse kemi shumë orë të papaguara",-thuhet në peticionin dërguar në adresë të kryeministrit Berisha.


Ndërkohë, i pyetur për këtë fakt, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, mohoi të ketë dijeni në lidhje me peticionin e firmosur nga rreth 30 punonjës të togës së shoqërimit dërguar institucioneve të ndryshme.


"Mua nuk më ka ardhur në zyrë asnjë ankesë dhe nuk kam dijeni për ndonjë peticion të tillë. Ka pasur një problem në lidhje me këto pagesa, por mesa jam i informuar unë ai është zgjidhur dhe kanë mbetur vetëm disa orë jashtë orarit të pa paguara dhe këto shumë shpejt do paguhen",-tha Dibra për "Shekullin" duke hedhur poshtë pretendimet e rreth 30 punonjësve të togës së shoqërimit, të cilët kanë frikë të identifikohen me emra nga frika e largimit nga puna.


Gjithashtu, ndër të tjera, në peticionin dërguar institucioneve shtetërore, është renditur edhe ankesa për mos marrjen e dietave gjatë orarit të punës, që kapin shifrën nga 600 deri 700 lekë për një rrugë të largët në rrethe si Saranda, Burreli, Kukësi apo Tropoja e Korça. "Edhe pagesat e dietave gjatë orarit të punës nuk janë dhënë që nga muaji nëntor.


Këto dieta janë pagesat që institucioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve paguan për ushqime kur toga e shoqërimit transferon apo dërgon një të paraburgosur apo të dënuar në burgjet e rretheve të largëta si dhe kontrolle nëpër këto institucione për sende të ndaluara",-thuhet nga ankuesit në peticion.


Edhe për këtë fakt, Drejtori Dibra mohoi se ka dijeni për ndonjë ankesë të togës së shoqërimit, duke shtuar se ata janë paguar rregullisht. "T'ju them të drejtën, deri tani nuk më ka ardhur ndonjë ankesë edhe për këto shqetësime që më pyesni, por, di që janë paguar me rregull. Këtë muajin e fundit, nuk e di si dhe ku kanë mbetur financat pasi nuk jam i informuar",-tha Dibra për "Shekullin".


Ndërkohë, punonjësit e togës së shoqërimit edhe në këtë rast nuk janë një zëri të gjithë, pasi nga 55 që janë gjithsej vetëm rreth 30 prej tyre kanë pranuar të firmosin këtë peticion.


Toga e shoqërimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, përbëhet prej 55 personash të ndarë në grupe të cilët merren me kontrollet për sendet e ndaluara në burgje, transferim të të dënuarve, transportim dhe shoqërim të të paraburgosurve nga institucionet e izolimit nëpër Gjykata të Rretheve etj etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›