Tekniku Del Bosque komplimenton Italinë e Prandelit
Vincente Del Bosque nuk i përballoi dot penalltitë. Trajneri spanjoll e ndjeu shumë duelin me Italinë, aq sa dukej sikur po luante një finale Kupe Bote dhe jo një gjysmëfinale të një turneu jo aq të rëndësishem siç janë kupa e Botës apo ajo e Europës, kompeticione të cilët pushtojnë vëmendjen e miliarda shikuesve.
Në deklaratën e tij pas ndeshjes tekniku i kampionëve të botës dhe Europës Del Boske analizoi lojën dhe mënyren se si Spanja e tij arriti të siguronte një tjetër finale ndërkombtare. “Në pjesën e parë Italia na vuri në vështirësi, por në të dytën ranë fizikisht dhe ne mund të kishim shënuar edhe golin e fitores,pasi fituam terren dhe ju afruam disa herë golit. Në kohën shtesë luajtëm ashtu siç duhej dhe në fund mendoj se kualifikimi ishte i merituar pavarsisht se erdhi nëpërmjet penalltive”, u shpreh tekniku spanjoll.
Për ish-trajnerin e Realit nuk munguan lëvdatat për kundërshtarin, sidomos për mefushën, dhe dy lojtarët më të mirët e Italisë Giaccherini dhe Maggion. “Lojtarë fantastikë! Loja e Italisë funksionoi, sepse i dha përparësi lojës nga krahët. Dy mesfushorët e krahut na vunë në vështirësi të mëdha. Mungesa e Balotellit bëri të mos ndihej shumë, sepse Gilardino luajti një ndeshje fantastike”, deklaroi Del Bosque.
Lidhur me ndërrimin e Torresit me Javi Martinez, 62-vjeçari sqaroi: “Menduam se një lojtar me këmbët e Havi Martinezit do na shërbente në ato momente më shumë se një sulmues ndaj dhe vendosa të zëvendësoja. Ndryshe nga finalja e europianit kjo ishte një përballje më dinjitoze dhe ashtu siç e kisha parashikuar Italia do të na vinte në vështirësi. Rezultati i penalltive pastaj është gjithnjë fat, fiton skuadra që është më e qetë . Tashmë ne jemi në finale dhe aty do të jetë një tjetër histori kundër Brazilit”. Përfundoi tekniku i kombëtares Spanjolle.