Tekniku Mourinho: Në Turqi nuk do ta kemi aspak të lehtë
Trajneri i Real Madridit, Hose Mourinho në prag të ndeshjes së kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve kundër Galatasarayt, ka thënë se të përzgjedhurit e tij nuk duhet të hyjnë në lojë me bindjen se e kanë siguruar kualifikimin. “Shpresoj që lojtarët të mos zbresin në fushë me besim të tepruar te rezultati i ndeshjes së parë. Edhe pse kemi fituar me rezultat të paster 3-0 për momentin nuk ka vend për ekzagjerime pasi mund të na kushtojnë shtrenjtë. Në Turqi do të gjejmë një ambient shumë të nxehtë dhe tifozëria vendase do të jetë një lojtar më shumë për Gallatasarain”.
Më tej tekniku portugez shtoi se: “Sfidat më të ekuilibruara janë ato që nisen nga rezultati i barabartë, por edhe avantazhi 3-0 nuk garanton asgjë. Duhet të mendojmë këtë ndeshje si një sfidë normale dhe jo duke bërë llogaritë e kualifikimit. Nëse do të humbisnim 2-0 apo edhe 3-1 nuk do të ktheheshim në shtëpi të lumtur”, tha strategu portugez.
Në fund “Special One” i pyetur nga gazetarët rreth të ardhmes së tij u shpreh se ai nuk kushtëzohet krejtësisht me rezultatin që do të marrë në Ligën e Kampionëve.
“E ardhmja ime nuk ka të bëjë me triumfin apo dështimin në Ligën e Kampionëve. Nëse drejtuesit e skuadrës kanë besim te aftësitë e mia unë do të qendroj në Madrid por nëse ata vazhdojnë të spekullojnë me largimin tim atëherë unë do të kërkoj një tjetër”, ka përfunduar Mourinho i cili vazhdon ta lërë enigmë të ardhmen e tij.