E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunimi i kameramanit, policia hesht

Gazeta Shqip

Top Channel, letër Nokës: Të dalin përgjegjësit. Protestojnë gazetarët

Mosreagimi - Drejtoria e Policisë nuk njoftoi për asnjë masë në lidhje me incidentin e rëndë të ndodhur në Komisariatin Nr.1, ku një ditë më parë u dhunua operatori i Top Channel

Top Channel - Top Channel ka dënuar dhunën dhe i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, që të marrë masa ndaj përgjegjësve të ushtrimit të saj, të cilët janë njerëz me uniformë

Unioni i Gazetarëve - Dhuna e ushtruar mbi operatorin Gent Balla është e papranueshme. Ne e denoncojmë dhe kërkojmë nga Policia e Shtetit të merren masa dhe të vihen para përgjegjësisë

tifozet Tirona Fanatics festojne gjate ndeshjes Tirana Skenderbeu 1-0Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë nuk njoftoi për asnjë masë në lidhje me incidentin e rëndë të ndodhur në Komisariatin Nr. 1, ku një ditë më parë u dhunua nga oficerë të lartë me uniformë operatori i Top Channel, Gent Balla, i shoqëruar pa asnjë arsye të qenësishme, teksa po kryente detyrën e tij. Një ditë pas incidentit të rëndë të denoncuar edhe nga Top Channel, policia mohoi të ketë nisur ndonjë verifikim në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që për dhunën e paprecedentë nuk ka gjasa të marrë ndonjë pezullim të mundshëm në bazë edhe të ligjit. Por reagimi i parë për dhunën ndaj operatorit të Top Channel ka ardhur nga institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka bërë me dije se ka nisur procedurën, duke u bazuar në ligj për të inspektuar në Komisariatin Nr. 1 në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku rezulton edhe i dokumentuar shoqërimi i operatorit të Top Channel.

Vetë Top Channel me anë të një letre drejtuar ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, dhe për dijeni Kryeministrit Sali Berisha, ka shprehur protestën për ngjarjen e rëndë dhe dhunimin e operatorit të tij nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, saktësisht prej zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Qarkut Tiranë, Erzen Breçani, dhe për më tepër brenda në ambientet e Komisariatit Nr. 1. Në letër, Top Channel ka dënuar dhunën dhe i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, që të marrë masa ndaj përgjegjësve të ushtrimit të saj, të cilët janë njerëz me uniformë. Më tej thuhet se dhunimi i operatorit në krye të detyrës, nga një punonjës i lartë i Policisë së Shtetit, për më tepër brenda mjediseve të komisariatit, përbën një ngjarje të paprecedentë dhe një shkelje të rëndë të ligjit nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Tiranës. Pikërisht nga ata që kanë për detyrë respektimin e ligjit dhe garantimin e jetës së qytetarëve. Kjo ngjarje dhune dhe intimidimi më pas ndaj operatorit të Top Channel krijon një klimë tensioni të pakërkuar, të panevojshme në raportet mes Policisë së Shtetit dhe medias, dhe Top Channel në veçanti. Dhuna ndaj punonjësve të medias, gjatë kryerjes së detyrës dhe më konkretisht nga një punonjës i lartë i Policisë së Shtetit me uniformë brenda në zyrat e shtetit bie ndesh edhe me vetë deklaratat e Kryeministrit Berisha, që më shumë se njëherë dhe publikisht e ka pozicionuar veten si një mik të gazetarëve dhe një dashnor të fjalës së lirë.

Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve. Përmes një deklarate për shtyp, Unioni shpreh shqetësimin për ngjarjen dhe shton se ky rast si dhe disa ankesa të ardhura nga gazetarë e reporterë në terren, paralajmërojnë një klimë të re acaruese ndaj reporterëve, që angazhohen në kushte shumë të vështira për të pasqyruar çdo zhvillim e ngjarje në mjediset e veprimtarive masive, jo vetëm elektorale.

Dhuna e ushtruar mbi operatorin Gent Balla, është e papranueshme dhe si të tillë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e denoncon, duke kërkuar nga autoritetet e larta të Policisë së Shtetit të merren masa dhe të vihen para përgjegjësisë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apelon pranë Policisë së Shtetit të dëshmojë kujdes dhe korrektesë ligjore në sjelljen dhe marrëdhëniet me gazetarët, operatorët dhe gjithë punonjësit e medias shqiptare, mbyllet deklarata e Unionit.

Parti Socialiste

Kryetari i opozitës reagon për incidentin e Qemal Stafës

Rama: Policia dhunon tifozët dhe mediat, sepse mbron partinë 

Incidenti i shëmtuar i të dielës, ku gjatë ndeshjes Tirana-Skënderbeu 1-0, u rrahën tifozët dhe operatori i Top Channel nuk kalon pa u vënë re. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimit me qytetarët në Korçë, ka denoncuar ashpër dhunën e policisë: Të gjithë e panë apo e dëgjuan lajmin e djeshëm, atë të rrahjes masive të sportdashësve të Tiranës, pasi në stadium bërtitën kundër qeverisë dhe jo vetëm të sportdashësve të Tiranës, por dhe të kameramanëve. Kjo, nga një polici, që ne e kemi thënë dhe që provon përditë, se është një polici që mbron qeverinë nga populli, jo popullin nga krimi. Nga një polici e cila është katandisur në një çetë barbarësh ku besoj është arritur niveli më i lartë, i papërfytyrueshëm i krahinarizmit në këtë planet. Nuk besoj të ketë shtet në botë, mbase mund të ketë një mundësi krahasimi me policinë dhe me ushtrinë e atij satrapit të Damaskut, po ajo për arsye që njihen në atë vend, por krahinarizëm si ky, ku më shumë se 95% e drejtuesve të policisë vijnë nga një rreth i vetëm në një vend me 36 rrethe, kjo nuk është parë. E, për më tepër, që policia tu turret tifozëve, sportdashësve, njerëzve që shkojnë për të parë sport, jo sepse ata ushtrojnë dhunë, por sepse ata bërtasin kundër qeverisë, kjo mund të jetë parë vetëm në filmat e realizmit socialist për kohën e Zogut, po që të ketë ndodhur në ndonjë vend demokratik besoj është rast unikal, sepse Shqipëria nuk është vend demokratik, për këtë arsye.

Bashkia Tiranë

Klubi i Tiranës zgjedh heshtjen kur i dhunohen tifozët e tij

Manipulimi politik i sportit, një akt dëshpërimi i Edi Ramës

Bashkia Tiranë reagon në lidhje me deklaratat që kreu i PS-së, Edi Rama, bëri në qytetin e Korçës. Bashkia, në një deklaratë për mediat thekson se manipulimi politik i sportit, është akt dëshpërimi i kryesocialistit Rama. Bashkia Tiranë thekson se gjatë kohës kur Rama mbante postin e kryebashkiakut, nuk bëri asgjë për futbollin dhe sportin në kryeqytet. Rama bredh rrugëve si i rilindur, por qytetarët ia kanë pirë lëngun për 13 vjet, thekson në reagimin e saj Bashkia Tiranë. Vetë drejtuesit e lartë sportivë të klubit të Tiranës gjatë ditës së djeshme kanë preferuar të qëndrojnë çuditërisht në heshtje, edhe pse është dhunuar pikërisht krahu i tyre i djathtë, lojtari nr. 12 në stadium, tifozeria fanatike e tyre. Arsyetimi ishte sepse ende nuk janë njohur me ngjarjen reale, pasi atyre u kishin mbërritur dy variante: Ai i tifozëve që pretendojnë se janë dhunuar pa të drejtë dhe ai i policisë që pretendon se fansat bardheblu kanë përdorur sende të forta në përplasjen me policinë. Sipas tifozerisë së Tiranës, është i pashpjegueshëm indiferentizmi i drejtuesve të klubit të Tiranës, të cilët në deklaratë cilësohen si të dehur nga fitorja 1-0 ndaj Skënderbeut dhe nuk duan tia dinë më për tifozët. Kohët e fundit drejtuesit e Tiranës kanë kërkuar me çdo kusht mbështetjen e tifozëve bardheblu, të cilët nuk e kanë kursyer asnjëherë, edhe në momentet kur rezultati më i mirë për skuadrën e Tiranës ishte barazimi. Ku është klubi kur tifozët kanë nevojë për ta? mbyllet deklarata e tifozerisë së Tiranës.

Dhunimi i kameramanit, policia hesht burimi: Gazeta S H Q I P

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›