E Diel, 1 Nëntor 2026

Fantazisti ndjek miqësoren që kavajasit fituan 2-1 me Laçin

Besa do të presë edhe 48 orë për të mësuar nëse Bledi Shkëmbi do të jetë përforcimi i ri i skuadrës. Afrimi i mesfushorit korçar ishte një prej kërkesave kryesore të trajnerit Shpëtim Duro, ndërsa edhe vetë lojtari ka shprehur dëshirën për t’u veshur verdhezi. Ish-fantazisti i Kombëtares vazhdon të këmbëngulë për largimin nga Skënderbeu, duke theksuar se klubi nuk është korrekt në pagesa, pavarësisht vendimit të Komisionit të Disiplinës për shlyerjen e të gjitha detyrimeve financiare. Besa dhe Shkëmbi janë në pritje të zgjidhjes përfundimtare të kontratës nëpërmjet disiplinorit. Edhe pse ende nuk mund të quhet zyrtarisht një lojtar i kavajasve, 30-vjeçari ndihet pjesë e skuadrës që renditet e dyta në Superiore. Madje, ai ka qenë i pranishëm dje në kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare në Kamëz, për të ndjekur nga afër miqësoren ku Besa fitoi me rezultatin 2-1 përballë Laçit. Golat për verdhezinjtë u realizuan nga Alban Dragusha dhe Bruno Okshtuni, ndërsa rrjetën e vetme për laçianët e realizoi Arlind Nora. Shkëmbi e ka ndjekur këtë miqësore në shoqërinë e Vioresin Sinanit, i cili u bë pjesë e Besës të premten.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›