Tekstet shkollore, këtë vit rimbursimi jo për të gjithë
Shpërndarja e teksteve shkollore ka nisur edhe këtë vit me probleme, sepse mungon një pjesë e madhe e librave shkollorë. Ja kategoritë që rimbursohen
Shpërndarja e librave ka filluar në shkollat e arsimit parauniversitar, por këtë vit rimbursimi i faturave nuk do të bëhet për të gjithë nxënësit. Ministria e Arsimit ka përcaktuar të gjitha kategoritë që përfitojnë rimbursim dhe për një pjesë ky rimbursim do të jetë deri në masën 50%.
Këshilltari për arsimin parauniversitar në MASH, Jovan Kristiqi, shpjegoi për kategoritë që do të përfitojnë kompensimin e librave. E ndërsa këtë vit shpërndarja e librave po bëhet në shkolla vihet re sërish radhë për të blerë librat dhe ka edhe mangësi të disa librave.
Rimbursimi
Kompensimi i librave këtë vit nuk do të bëhet për të gjithë nxënësit e shkollave. Kështu Ministria e Arsimit do të kompensojë vetëm ata që kanë statusin e jetimit dhe ata të cilët vijnë nga familje e varfër. Sipas këshilltarit të ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, kompensimi i librave do të bëhet pasi të ketë filluar shkolla, ndonëse askush nuk është pajisur me fatura.
Ata që gëzojnë statusin e jetimit e përfitojnë kompensimin 100 % deri në fund të shkollës së mesme, ndërsa ata që vijnë nga familje e varfër, të cilët marrin ndihëm ekonomike kompensohen me 50 % deri në klasën e nëntë. Një tjetër kategori që përfiton kompensim 100 % janë dhe minoritetet.
"Sigurisht që në momentin që do të bëhet rimbursimi i librave për këto kategori, nxënësit duhet të kenë me vete dokumentet përkatëse", pohon Kristiqi.
Ndërsa nxënësit dhe prindërit kanë mbetur të habitur që nuk janë pajisur me faturë për librat që kanë blerë, pasi vitet e kaluara kanë marrë faturat dhe në bazë të faturave kanë marrë edhe rimbursimin e librave. "Se kuptojmë përse nuk do rimbursohen edhe këtë vit, sepse vitin e kaluar na është kthyer gjysma e parave të librave të blerë", - pohon njëri nga prindërit e nxënësve.
Shpërndarja
Ndonëse pak ditë i ndajnë nxënësit e arsimit parauniversitar nga fillimi vitit të ri shkollor, ata nuk kanë mundur të pajisen me të gjithë librat. Në shkolla, aty ku bëhet sivjet shitja e librave, ka mungesa të mjaft titujve. Thuajse për çdo klasë mungojnë mesatarisht 4 deri 5 libra.
Kjo situatë gati e ngjashme, çdo vit ka krijuar zvarritje të shpërndarjes së librave. Për këtë situatë ankohen nxënës dhe prindër, të cilët theksojë se duhet të merren masa të menjëhershme. "Mora librat e vajzës që është në klasën e katërt dhe i mungojnë pothuajse gjysma e librave.
Nuk e kuptojmë përse nuk i marrim dot të gjithë librat në fillim të shkollës. Kjo është papërgjegjshmëri, pasi ne paratë i paguajmë në dorë", pohon njëri nga prindërit e nxënësve.
Ndërsa nxënësit ankohen se mungesat e librave iu krijojnë atyre boshllëqe, ndaj dhe kërkojnë që të pajisen sa më shpejt me të gjithë librat. Për këto vonesa, Ministria e Arsimit fajëson shtëpitë botuese.
Drejtues të arsimit parauniversitar i bëjnë thirrje botuesve që brenda 5 shtatorit nxënësit të kenë në dorë të gjithë titujt e librave, në mënyrë që ditën e parë të shkollës mësimi të nisë normalisht. Këtë vit nuk do të ketë rimbursim të teksteve shkollore për të gjithë nxënësit.
Ndërsa sa i takon shpërndarjes, edhe këtë herë është krijuar rrëmujë dhe radhë e gjatë në korridoret e shkollave për të marrë librat.
Pikërisht për të shmangur radhët e gjata, këtë vit u vendos që të shpërndaheshin librat në shkolla e jo në librari, por duket se edhe kjo mënyrë nuk ka qenë efikase për t'i shmangur këto radhë. "Kam që në mëngjes që pres të marr librat, por ende nuk po më bie radha. Ju e shikoni vetë sa shumë njerëz që ka, ndaj më duhet të pres sërish që t'i marr", pohon një nxënëse e klasës së 8-të.
100% rimbursohen librat e fëmijëve jetimë
100% rimbursohen librat e fëmijëve të policëve të vrarë
Hana: Barnat e rimbursueshme, në sistem elektronik
Për një modernizim të shërbimin farmaceutik, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka arritur të realizojë futjen e Sistemit Elektronik për Barnat e Rimbursuara në të gjitha Farmacitë dhe Agjencitë e Kontraktuara.
Këtë e pohoi dje drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë tryezës në lidhje me hartimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër barnave të falsifikuara.
"Aktualisht ISKSH po punon për zbatimin e një projekti informatizimi për dërgimin online në ISKSH të shpenzimeve të rimbursimit të realizuara për çdo ditë brenda 24 orëve për subjektet e kontraktuara", pohon Hana, duke shtuar se me përdorimin e këtij projekti, ISKSH do të ketë një informacion shumë më të shpejtë mbi ecurinë e shpenzimeve të rimbursimit, i cili pritet të shoqërohet me ulje të mundësisë për abuzime në këtë sektor.
Ky projekt, sipas saj, do t'i paraprijë projektit të kalimit në recetën elektronike për barnat e rimbursuara, që do të përshkruhet nga mjeket dhe do të lexohet nga farmacia më pas.