Uji dhe rruga, në protestë banorët e Jubanit
Protestuesit janë shprehur se janë ende me investimet e Enverit dhe se në 20 vjet kanë dëgjuar vetëm premtime e gënjeshtra
SHKODËR - Banorë të fshatit Juban në komunën Gur i Zi në Shkodër kanë protestuar për indiferencën e shtetit ndaj fshatit të tyre duke theksuar se do t'i përshkallëzojnë këto protesta në rast se nuk do t'u jepet zgjidhje kërkesave të tyre. Asfaltimi i rrugës dhe uji i pijshëm janë kërkesat kryesore të këtyre banorëve.
Ata janë grumbulluar në rrugën kryesore të fshatit, në segmentin Shkodër-Vau i Dejës dhe fillimisht kanë vendosur disa kazanë mbeturinash në mes të rrugës me qëllim bllokimin e saj, por kjo vetëm për pak minuta, pasi më pas i kanë larguar.
Banorët e Jubanit shprehen se ka 20 vjet që askush nuk ka vënë dorë në infrastrukturën e këtij fshati, ku rruga mbetet mjaft problematike. "Asnjë lopatë dhe nuk është hedhur prej 20 vitesh.
Jemi me investimet e kohës së Enverit. Rruga ka probleme, nuk kemi ujë të pijshëm dhe hapim puse, mbeturinat nuk largohen. Ka ardhë një firmë e ka çarë asfaltin dhe ka ikur duke e lënë ashtu, pasi lekët janë marrë. Të vijë Sali Berisha e të kalojë njëherë nëpër këtë rrugë gjithë gropa. Është turp që askush nuk e çan kokën",- janë shprehur ata.
Të tjerë kanë shtuar se paguajnë para për rrugën e Kukësit që akoma nuk e kanë shkelur e rruga këtu është e pakalueshme. Sipas banorëve, në komunë u kanë thënë se nuk kanë mundësi financiare për të ndërtuar rrugën, ndërsa shtojnë se protestat e tyre paqësore do të përshkallëzohen pasi nuk jetohet më në këtë gjendje.
"Ne do të bllokojmë aksin Shkodër- Tiranë dhe shteti nuk na pengon dot të grumbullohemi e të protestojmë për të drejtat tona, sepse nuk kemi rrugë tjetër. Vetëm premtime dhe gënjeshtra dëgjojmë prej 20 vitesh, janë shprehur banorët e Jubanit.