"QKR zbaton urdhrin e Bregut, pezullon nga detyra burrin e saj"

PS denoncoi dje zhdukjen e burrit të Ministres së Integrimit, si administrator i "M.I.A Interncaional"
TIRANË - Partia Socialiste akuzoi sërish ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, se pasi u publikuan provat që vërtetonin faktin se Namik Beqir AJAZI kishte në pronësi 30% të kompanisë "M.I.A International", kompani e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me fushën e energjetikës, ka urdhëruar QKR për të pezulluar aktivitetin e burrit si administrator i kësaj kompanie.
Mbrëmjen e djeshme, në një tjetër deklaratë pas reagimin të ministres Bregu, deputetja Olta Xhaçka tha se pezullimi i burrit të ministres si administrator është prova më e qartë se shteti shqiptar është vënë kryekëput në shërbim të familjes në pushtet.
"Pas urdhrit të Majlinda Bregut për të dorëhequr bashkëshortin e saj nga kompania, i njëjti institucion, pra QKR, ka zbatuar pjesërisht urdhrin e ministres. Sipas këtij dokumenti të printuar në 17.09,2010, vetë QKR njofton se në datë 30.8.2010, pra sot, janë depozituar njoftimet e datave 12.10.2009 dhe 12.7.2010 i administratorit të shoqërisë për dorëheqjen nga detyra i administratorit dhe largimin e tij si ortak i shoqërisë.
Ndërkohë, në këtë dokument, Namik Ajazi figuron ende si ortak, administrator, me afat emërimi deri në 20.6.2012 dhe kompania me status aktiv", denoncoi Olta Xhaçka. Sipas saj, vetëm 50 minuta më pas, urdhri i ministres zbatohet plotësisht nga QKR, e cila e shpall kompaninë me status të pezulluar.
Ajo theksoi se ky njoftim i QKR nuk shoqërohet me asnjë akt që të tregojë se vërtet kompania e ka pezulluar aktivitetin apo se asambleja e ortakëve ka pranuar dorëheqjen e administratorit Ajazi dhe largimin e tij si ortak.
"Pra, e njëjta kompani, 'M.I.A Internacional' që deri ditën e sotme figuronte me status aktiv me administrator e ortak, Namik Ajazin, bashkëshortin e ministres, pas urdhrit të zonjës Bregu në fillim u kthye në një kompani pa administrator dhe me një ortak mangët, e më pas në një kompani të pezulluar", deklaroi deputetja e PS.