Teleferiku dhe dëbora, një arsye më shumë për tu drejtuar drejt Dajtit

Një nga vende më të frekuentuar nga qytetarët e Tiranës por jo vetëm, në këtë periudhë në prag të festave mbetet padyshim mali i Dajtit. Prej pak ditësh petku i bardhë i dëborës ka mbuluar edhe këtë pjesë të kryeqytetit, duke e bërë atë tërheqës për të gjithë ata që e preferojnë.
Ata që i gëzohen më shumë padyshim janë fëmijët, por edhe ata që i shoqërojnë dhe që dashje pa dashje futen në botën e tyre.
Por sigurisht mbërritjen në një nga destinacionet më të frekuentuara, për vetëm 15 minuta, më të bukur dhe më të paharrueshëm e bën teleferiku, i cili është një vepër unikale dhe për momentin e vetmja në vend. Jo vetëm mund të shkosh shpejt në këtë mrekulli, por panorama që ajo të ofron është gjithashtu një moment i paharruar.
Dhe me të mbërritur në majën e Dajtit, gjeja e parë për këdo, është loja me topa bore pa harruar të fokusojnë ne celuloid këto momente. Mali i Dajtit nuk frekuentohet vetëm në dimër por edhe në verë, për të gjithë ata që janë të apasionuar pas klimës se pastër dhe të freskët, dhe për të shijuar padyshim edhe gatimet tradicionale që preferohen shumë edhe nga të huajt.