Telefoni i Berishës, sms-të e korrupsionit
Ndonëse doli një herë në ekran duke komunikuar drejtpërdrejt me një qytetar që kishte bërë denoncimin te numri i dhënë nga kryeministri, mëse 3 vite më parë, Berisha nuk është marrë vetë me dhjetëra mijëra përgjigjet që donin po kaq mesazhe. Një central i sofistikuar operator që merr, grumbullon dhe tabelon mesazhet në format Exel dhe pas tyre punonjës të stafit të kryeministrit që të vetmen punë kanë përpunimin e mesazheve. Por në një rast të vetëm, mes mijëra mesazheve, është Berisha që thotë se do të interesohet për problemin e nisur në drejtim te celularit të kryeministrit. "Fatlumi" është zotëruesi i numrit celular 3556850987XX, i cili i shkruan Berishës: "Z. Kryeministër. Jemi mirë. Kam një hall që mund të ma zgjidhni vetëm ju. Je i mrekullueshëm. Me respekt i juaji Preng K."
Përgjigjja që vjen për qytetarin është në emër të kryeministrit: "Ju faleminderit për mesazhin që më keni dërguar! Ju lutem më nisni emrin dhe vendbanimin tuaj, për të ndjekur problemin. Sinqerisht. Sali Berisha", ndërsa qytetari ia kthen: "Mirëmbrama.. Përshëndetje z-KRYEMINISTER, ju faleminderit për përgjigjen e sms. Adresa ime është. Preng Z. K. Klos Kumuna FAN MIRDITE. Me Respekt familja K".
gjakmarrja
Lutja e adoleshentit të rritur brenda mureve
Dëshira ime? Z. Berisha, më nxirr nga gjakmarrja!
Një shtet i dështuar. I gjunjëzuar nga një rit gjakësor, që prej 20 vitesh ka marrë jetën e qindra njerëzve dhe ka ngujuar me mijëra të tjerë. Dëshmitarët e gjallë të këtij tmerri janë viktimat e pafajshme të një dorëzimi pa kushte të strukturave shtetërore, që i kanë lënë rrugë të lirë vetëgjyqësisë dhe abuzimeve në emër të Kanunit. Në adresë të telefonit të kryeministrit Berisha, mes shumë të tjerëve vjen edhe një mesazh nga numri 3556943446XX. E shkruan një djalë nga Shkodra: "I nderuar z Berisha. Unë jam një djalë 18 vjeç nga Shkodra. Dëshira ime është që të dal nga gjakmarrja ku e vuaj prej 15 vitesh. Adresa: L. 8 Nëntori, Kukaj. Me respekt K. Gj". Adoleshenti është detyruar të ndryhet brenda mureve të shtëpisë që në moshën 3-vjeçare, atëherë kur sapo kishte mësuar të fliste dhe kur ndoshta ende nuk e kishte shqiptuar fjalën "gjak".
Mesazhet pro dhe kundër
Deputetët, mendimet e elektoratit për kandidatët e PD-së
Kryetari i PD-së priti derisa u skicua lista e kandidatëve të PS-së për të publikuar listën e kandidatëve të PD-së. Por edhe pse pati kohë, shumë lëvizje i bëri në minutën e fundit, duke ngjallur shumë polemika në selinë blu. Kështu ndodhi me ish-kandidatin e PD-së në Lezhë, Preç Zogaj, të cilin e zhvendosi në fund të afatit, duke e dërguar në Shkodër. Nga elektorati për këtë rast, por edhe për kandidatët e tjerë pati reagime pro dhe kundër, siç duket edhe nga disa prej mesazheve që iu dërguan pas shpalljes së listës së kandidatëve:
3556720148XX Z. Sali Berisha, ju lutem rishikojeni dhe një herë listën e Lezhës, sepse 3 personat e parë janë të panjohur shumë nga populli përveç Gjok Vuksanit. Prandaj ju lutem merreni në konsideratë sugjerimin tim.
3556720784XX Mendimi im është për Bardh Rica ose për PAL Metën. Fitorja 100% e sigurt. Me respekt I. I.
3556721825XX Në Lezhë ke vënë kandidatet më të dobët në të gjithë Shqipërinë. Asnjë nuk e njeh Paulina Hotin, nuk di gjë për Mark Markun dhe nuk e duan Edi Palokën. Z.Berisha.Vazhdo këtë model zhvillimi se është shumë i mirë..Por kam ankesa për qarkun e Lezhës. Ke bërë mjaft mirë që hoqe Preç Zogajn.
3556722616XX Përshendetje Z.Berisha, ju uroj me gjithë zemër që të fitoni ju dhe gjithë Shqipëria më 28 qershor. Përsa i përket korrupsionit në Lezhë nuk luftohet po vazhdon pa problem,vritet, dënohen me 25 vjet jep lekë dhe bën vetëm 5 vjet! Ujëesjellësi kushedi sa fond ka dhënë dhe në fshatin Mërqi uji nuk mund të përdoret se është llum dhe z.Bumçi vjen e thotë "Ta gëzoni ujin e pijshëm!" Pra unë do doja që të trajtohemi si njerëz. Me respekt Bona Lezhë.
3556820439XX Të falenderoi për kanditaturat në qarkun Lezhë. Kujdes me bashkitë e komunat mjaft të korruptuara dhe të padurueshme për komunitetin. Mos i përsërit kurrë dhe mos ju beso kurrë më pa i kontrolluar rreptësisht.
3556823019XX Ka 4 vjet që deputeti ynë dhe aktualisht Kryetari i PD së Tiranës na premton për një urë mbi Lumin Drin sepse në fshatin tonë votat i merr të gjitha PD. Jemi shumë të shqetësuar. Ju lutem më ktheni përgjigje. Me respekt PJETER J.
3556920898XX Propozim nr.1 : Të thirret zoti Zogaj dhe të ftohet që të bëhet pjesë e fushatës së PD. Brenda skemës së kandidimit në Shkoder unë shoh vendim të drejtë të PD dhe nxitim të Preçit, por mendoj se ka përsëri hapësira rregullimi... P. N.
3556725838XX Pa Preç Zogaj të parin në listë e kemi të vështirë të fitojmë më 2 deputet në qarkun e Lezhës. Të lutem në emër të PD dhe sedrës tonë bëje këtë ndryshim.
3556925088XX Z kryeminister do kisha shumë dëshirë që kandidat për Krujën të kishit vendosur biznesmenin e njohur, presidentin e firmës XXXX që edhe Obama po të jetë përballe tij nuk fiton. Me këtë nxjerr 2 deputetë të sigurt. Po e bëre këtë Kruja do jetë mirënjohëse gjithe jetën. Me shumë respekt demokrati i persekutuar deri në vdekje Shkëlqim Xh. S. Krujë
3556925177XX Jam I. Rr. nga Shijaku. Jam dekoruar nga ju si "Pishtar i Demokracisë". Jam shumë i indinjuar nga mitingu i djeshëm. Kjo tregon punën e dobët të degës së Shijakut. Ju lutem pres përgjigjen tuaj. Me këto njerëz ne do t'i fitojmë zgjedhjet?
Ndjehet kryeministri më i lumtur i vendit më të lumtur në botë. Shqipëria sipas tij është e para në shumë aspekte, si vendi më i lirë në të bërit biznes, në rritjen ekonomike, një vend që nuk është prekur dhe nuk do të preket nga kriza ekonomike që ka gjunjëzuar supershtete dhe po rrënon buxhetet familjare. Por ai nuk i pranon ato. Tre muaj më parë ngjiste mijëra shkallët e Murit Kinez për të treguar se sa lart shkon. Por poshtë tij, nën këmbët e tij është populli më i lodhur, më i skamur dhe më i përbuzur i Europës. Një popull që gjen te mesazhet drejtuar celularit të vënë në dispozicion nga Sali Berisha, në rrugë për të shfryrë, për të nxjerrë dufin dhe për të kërkuar, si mjet të fundit të ekzistencën lëmoshë. Mesazhet e sotme i hap lutja e një biznesmeni të nderuar në Tiranë, që për të disatën herë denoncon te kryeministri administratën e korruptuar që vegjeton nën hijen e qeverisë "Berisha" e cila flak biznesin e ndershëm të të favorizuar të vetët që paguajnë nën dorë. Biznesmeni duket i pashpresë, sepse për disa vite është skualifikuar në tendera, të cilët i ka fituar një tjetër, i cili vazhdon t'i fitojë ato edhe pse me akuza të rënda për korrupsion, të cilat i dhanë edhe disa muaj burg.
Shqipëria e qeverisur katër vitet e shkuara nga Sali Berisha është një vend ku mijëra njerëz llogaritin bukën e gojës. Një nënë i lutet me shpirt kryeministrit që të paktën t'i japin ndihmën ekonomike, e cila edhe pse qesharake është burimi i vetëm i jetesës. Familje të tëra i kërkojnë hapur lëmoshë kryeministrit në këmbim të votës. Janë të mbytur në borxhe, pa rroga të mjaftueshme për të shlyer këstet e kredive konsumatore që kanë marrë më parë. Madje dikush në fund të mesazhit kërcënon edhe me vetëvrasje, nëse nuk i realizohet dëshira. "Kam nevojë për ndihmën tuaj, sepse jam 5 milionë lekë borxh dhe e kam litarin në fyt"-i shkruan njëri Berishës dhe tjetri jep edhe ultimatumin e dëshpërimit të thellë të prindit: "Kam shumë halle, i papunë me dy kredi e fëmijët pa bukë. Ju lutem më ndihmoni se jam drejt vetëvrasjes".
Shqipëria e qeverisur nga Sali Berisha është një vend, ku pushteti vendor nuk ekziston për komunitetin. Dhjetëra mesazhe nga fshatra, zona informale apo zona urbane, denoncojnë mungesën e investimeve shtetërore, vjedhjen e tyre apo abuzimet për fushata elektorale. Akuzojnë edhe deputetët e PD-së që erdhën në 2005 për të marrë votat dhe këtë punë duan të bëjnë sërish në 2009. Shqipëria e kryeministrit Berisha ka një administratë që kërkon ryshfet për të gjetur vendin e punës. 5000 euro thotë një pensionist nga Shkodra, i cili sheh me trishtim se vajza e tij nuk arrin të gjejë vend pune pas mbarimit të shkollës së lartë. Për kryeministrin kjo Shqipëri nuk ekziston. E tregoi luksi e paparë që përdori për fushatën, duke mbjellë me reklama çdo pëllëmbë të vendit, pa pyetur për koston e papërballueshme që do ta paguajë taksapaguesi shqiptar. Ai kishte vetëm një qëllim: të fitonte sa më shumë vota, qoftë edhe duke i blerë, siç ka vepruar në këtë rast, duke marrë çdo qytetar që i ka dërguar mesazh, për t'i premtuar "lugën e florinjtë", ashtu siç premtoi në 2005-ën. Një skemë e pastër korruptive për të fituar një pushtet të pamerituar, që do të vazhdojë të mos shohë Shqipërinë e vërtetë, atë që vuan nga korrupsioni, nga mungesa e punës dhe bukës, e ilaçeve të domosdoshme për jetën, nga mungesa e perspektivës dhe të ardhmes së fëmijëve.
(Vijon nga numri i kaluar)
3556820352XX Zoti. Kryeministër! Jam A. T. administrator i kompanisë së pastrimit XXXX. Arsyeja që po iu shkruaj është se mua si kompani më kanë përjashtuar në mënyrë të padrejtë dhe të pa mbeshtetur në ligj nga APP-ja. Arsyeja që po iu shkruaj është se më daten 17/ 05/ 2009 ju kam dërguar një "sms" dhe një javë më parë ju dërgova një letër ku në të dy rastet ju kërkoja ndihmë dhe mbrojtje ligjore sepse nuk kisha rrugë. Kam konkuruar për 5 vjet për shërbimin e pastrimit në QSUT dhe jam skualifikuar padrejtësisht dhe gjithmone ka fituar N. J..Vetëm për tre muajit e fundit të 2008 arrita që ta fitoja këtë tender. Për këto tre muaj punë dhe për tenderin e shërbimit të pastrimit në 2007 për QSUT, ku me nderhyrjen tuaj Zoti. Kryeministër u anullua, tani për hakmarrje këta më përjashtojne nga pjesëmarrja në APP. Familja ime ka qenë e persekutuar për vite me radhë dhe unë akoma vazhdoj të ndihem i persekutuar nga ky korrupsion. Për më hollësisht iu kam dërguar edhe letër. Që biznesi im të mos falimentojë ju drejtohem juve i nderuar Zoti. Kryeministër që të vendosni drejtësi. Ndjehem i rrezikuar, ju lutem më ndihmoni që edhe biznesi që unë drejtoj të ndjehet i mbrojtur nga ligji. Me respekt, A.T.
3556935619XX Jam një 11 vjeçar nga Elbasani dhe jetoj në lagjen "Aqif Pasha", ish-punishtja e pastave. Jam i sëmurë dhe babin e kam të sëmurë me zemër. Jetojmë në një ndërtesë të amortizuar në kushte të këqija jetese. Kemi më shumë se 15 vjet që jetojmë në këto ndërtesa, jemi 20 familje që jetojmë këtu dhe askush nuk na jep rrugëzgjidhje. E di mire dhe zoti Ardian Turku si është puna e kësaj ndërtese që ne po jetojmë si mos më keq. Duam përgjigje.
3556725085XX Zoti kryeministër një dëshirë e një hall kam për një doktor të mirë se kam mamin shumë të sëmurë. Po më ndihmove faleminderit.
3556725211XX Kërkoj që 4 vitet që vijnë, njerëzit e vegjël të mos ndëshkohen për korrupsion, por të mëdhenjtë që janë baballarët e tij. Kam 1 vit që mbarova studimet dhe po kthehet në burim depresioni.Flm
3556725215XX Jam dakord me ato që keni bërë. Ajo që më shqetëson është se babai im ka punuar tek SHKEE (Ish policia elektrike) dhe nga muaji janar nuk është paguar.
3556726410XX Mami im është shumë keq. Ajo ka 2 muaj që nuk merr asistencën dhe jo më lekët e mëdha. Unë e kuptoj që me këtë mesazh nuk zgjìdhet gjë, por ju lutem shumë më jepni një zgjidhje ose të marrë vendin e punës, ose t'i japin paratë për vitet e punës që të përfitonte një shumë parash siç iu premtua.
3556727630XX Unë personalisht jam zhgënjyer nga kjo qeveri, bëni mirë që ta dini edhe ju Z. Kryeministër. Më kanë prishur një objekt në Velipojë gjoja pa leje në tokën time ndërkohë që të tjerët nuk kanë as tokën e tyre dhe kanë hotele nga katër kate. Ligji duhet të jetë për të gjithë njësoj. Ju falenderoj që na jepni mundësinë të shprehim shqetësimet tona me shpresën se dikush do na dëgjojë.
3556860245XX I nderuar kryeministër dhe ju që e lexoni këtë sms konsideroni si kërkesë timen. Jam dhe do të jem besnik i PD si shumica e shkodranëve. Unë per 4 vitet e ardhshme kërkoj të më lash 10 milionë të vjetra që kam borxh. Me respekt Egjildo Sh.
3556922300XX Jam një zonjë. Kërkoj nga ju sepse vuaj nga një sëmundje e rëndë, ilaçin që më nevojitet, por nuk kam mundësi ta blej. Ai quhet interferon. Ju faleminderit.
3556922864XX I nderuar Kryeministër. Jam një pensionist demokrat shkodran. Më në fund më erdhi mundësia të ankohem direkt tek ju. Vajza ime ka 5 vite që ka kryer studimet për mësuesi biologji- kimi dhe akoma është pa punë. Të them të drejten unë nuk kam 5000 Euro me ia dhënë pasi jemi pensionistë, prandaj ju drejtova juve duke pasur parasysh që jeni njeri i drejtë. Rri me shpresë që do të më zgjidhni këtë problem. Mustafa T.
3556924632XX Mirëdita zoti Sali Berisha jam një djalë nga Shkodra i moshës 14 vjeç. Studioj në shkollën Medrese. Te lutem tani në prag të fundvitit shkollor më gjej ndonjë vend pune se e kam të nevojshme. ELSAD C.
3556936561XX Përshëndetje Z. Kryeministër!Unë që po ju shkruaj jam Artila I. nga Hasi. Në radhë të parë ju uroj fitore! Kam mbaruar shkollën e mesme, dëshira ime është që të vazhdoj universitetin po mundësitë tona janë të paarritshme sepse babin e kam invalid i sëmurë në zemër dhe pa punë. Jemi 8 motra. Meqenëse ju më dhatë rastin t'ju shkruaj për problemet e mia mendova se do më ndihmonit duke më siguruar bursën.
3556726513XX Faleminderit zoti kryeministër. Në komunën Selishtë nuk është bë as një investim. Ne jemi komunë e PD nga viti 1991..me respekt G.H.
3556820189XX I nderuar zoti Kryeministër. Jam një qytetar i komunës Maqellarë. Faleminderit shumë për sms, por në këtë vend nuk kemi parë asnjë ndryshim për afro njëzet vjet na dhe fjalën që do ta bësh bashki MAQELLAREN, por jo u bë një ujësjellës dhe ne nuk kemi ujë.
3556823381XX me shpërdorime e vjedhje nga deputeti i zonës me kriminelët e tij. Ju kemi mbështetur gjithmonë, por Dibra nuk mundet më. Me respekt e dhimbje x.
3556830182XX Fshati Plesh deri në Klos të paktën të mbushen gropat me asfalt se nuk është vënë dorë që në kohën e ish-diktatorit. Me respekt A. Sh.
3556925064XX Përshëndetje dhe fitore në zgjedhje. Kërkesat janë shkolla Koben është mizerabël, por dhe në shkolle nuk shkohet nga përrenjtë. Fëmijët zbathen dhe ikin në shkolle dhe mësim nuk bëjnë sepse niveli është zero. Përrenjtë po futen në shtepi sa her bie shi. Me respekte nga anetari i PD-se N. P. fshati Kishavec Dibër.
3556726157XX Përshëndetje, zoti kryeministër! Unë nuk jam nihilist, di t'i vlerësoj mirësitë, por përpos atyre që rendisni Ju në SMS kam të tjera shqetësime që më trembin kujtesën time. Është fiksuar një Sali Berisha mjek i shkëlqyer human, që më ktheu gruan në jetë, dhe Sali Berisha kryeministër pushtetarët e të cilit në Peshkopi na dënojnë "me vdekje" nga uria. Para votës për këtë të keqe duhet të mendoj. Pse ishim socialistë, edhe pse në prag të pensionit e pa fëmijë, pa asnjë burim jetese, na flaken të dy pleqve në rrugë të madhe. F.M. Peshkopi.
3556726396XX Z .Berisha jam nga rrethi Matit, komuna Derjan. 4 vitet që kaluan nën qeverisjen tuaj në këtë fshat asnjë investim nuk është bërë. Jemi demokratë, unë në vitin 2005 kam bërë çmos për PD. Më thuaj ti si të votoj tani me gjithë njerëzit e mi që grumbulloj 450 vota. Me respekt familja K. Nga kjo komunë jemi pa ujë, pa rrugë makine, pa shkollë, pa një infermiere dhe vdes njeriu për një gjilpërë, ndërkohë që rrogat i marrin duke ndenjur në shtëpi.
3556832596XX Jemi 3 motra. Babai është operuar në laring, por ka nevojë për kurim më të specializuar jashtë. Ju lutem na ndihmoni sepse nuk kemi mundësi ekonomike. Ju faleminderit për interesimin. Megjithëse në kushte shumë të vështira meqë punën e babit e kemi shumë urgjente pranojmë të shesim shtëpinë vetëm të na siguroni një spital ku mund të kurohet. Nuri S. Dibër.
3556721935XX Zoti kryeministër faleminderit për çdo gjë. Këtej nga ushtria nuk ke bërë gjë, buka vjen nga Rinasi në Gjadër të Lezhës dhe e vjedhin komandantët.
3556722813XX Jam banor i Shëngjinit. A e di qeveria si është rruga Shëngjin-Kune që na mbyti pluhuri dhe gropat. A ka Shëngjini shkollë të mesme? Nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç këtyre dy gjërave. Zgjedhjet fitohen me plotësim kushtesh.
3556820703XX Z. Kryeministër. Ju uroj për këtë formë të komunikimit me zgjedhësit. Mendoj se do të jetë shumë e efektshme. Ju lutem të kini në konsiderate qysh vitin e parë (vitin tjetër) ujësjellësin e fshatit Balldre i Ri në komunën e Balldrenit në Lezhë. Një fshat me 4 mijë banorë dhe ka disa vjet që nuk ka ujë të pijshëm. Me respekt dhe konsideratë Gjovalin Gj.
3556833042XX Jam një banor nga Mamurasi i lagjes Demokracia. Desha të vë në dijeni që lagjja jonë është pa ujë. Tubat jane lidhur, por ujin nuk e lëshon kryetari i komunës për t'i bërë njerëzit të pakënaqur për votime. Ju lutem zgjidheni këtë problem ose do të bllokojmë rrugën.
3556722268XX Zotëri S. Berisha. Unë jam një familje nga Rrila e Lezhës. Ne kemi shumë halle. Në familje jemi 5 vetë dhe po presim të bëhemi 6. Kam vjehrrën të vjetër, burrin që nuk ka asnjë aftësi për të punuar dhe vetë që nuk kam asnjë profesion për punë. Kam 2 vajza të vogla që duan të rriten. Kryetari ynë është zoti F. F. që nuk na ka ndihmuar asnjë herë. Tani të paktën të na i japin ato karta falas se ne mezi po marrim thesin e miellit. Me respekt familja G. P.
3556726957XX Zoti Sali Berisha jemi një familje e varfër nga rrethi i Tropojës, që banojmë në fshatin e Torovicës. Jemi 6 pjesëtarë të familjes pa pune veç me një ndihmë ekonomike.
3556721448XX Zoti kryeministër. Quhem B. H. jam mjek dhe banoj në zonën e ish-kënetës Durrës. Jetojmë si në mesjetë, pa ujë, pa rrugë dhe ç'është më e keqja pa kanalizime, higjiena zero. Nënat dhe vajzat tona jane kthyer në skllevër duke mbajtur ujë me karroca me kilometra larg. Të kemi votuar gjithmonë prandaj bëj diçka...
3556722352XX Z.BERISHA Ne jetojmë në kënetën e Durrësit pa ujë, me rrugë gropa-gropa dhe kanalet e ujërave të zeza te pa mbuluara dhe nëse ju merni masa për këtë ju sigurojmë 5 mijë vota.
3556722774XX Zoti kryeministër jam banor i Spitallës në Durrës. Ne kemi 15 vjet që banojmë dhe s'kemi pikë uji dhe bredhim me karroca. Kemi Xhaferrin deputet dhe s'ka ardhur asnjëherë në takim. Dhe ne nuk votojmë as Xhaferrin, as partinë. Jam demokratë me shpirt.
3556727685XX Ç'më duhet ata që shkruan zotrote ku rreth 200 familje këtu në Shkallnur të Durrësit s'kanë ujë.
3556921065XX Përshëndetje, z. Kryeministër. Çështja me emergjente është eliminimi ose zhvendosja përfundimtare e furrave të gëlqeres dhe makinerive të përpunimit të gurit që janë afër banesave, të cilat shkaktojnë një ndotje të madhe jo vetëm në Fushë-Krujë apo Krujë, por efektet e saj ndihen edhe në kryeqytet. Çështja e dytë është papunësia. Po mbaroj fakultet të dytë dhe nuk jam i sigurt nëse do kem një vend pune. Gjithë të mirat. Flamur B., Fushë-Krujë.
3556921348XX Z.Berisha mos ndërtoni TEC me qymyrguri në Porto-Romano. Ujësjellësi i Durrësit nuk sjell ujë për të gjithë .
3556923349XX E morëm mesazhin tuaj. Banorët e Porto-Romanos ju luten të bini ujin se vdiqëm për një pikë ujë.
3556924739XX Urime për punën që keni bërë. Por mua më intereson puna ime. Jam peshkatar në Durrës dhe ju s'keni bërë asgjë për ne.
3556930440XX Unë nuk kërkoj, por ju lutem komunikoni me prokurorin e rrethit të Krujës të na kthejë mjetet e bllokuara padrejtësisht, të na lërë të jetojmë të lirë me hallet tona, sepse s'kemi mundësi të mbajmë mbi supe edhe hallet, provokimet, gjobat, dëmin ekonomik të shkaktuar prej tij si rezultat i shkeljes ligjore që ai bën në çdo moment të punës se tij tejet të korruptuar. Ju lutem, ju lutem, ju lutem.
3556822314XX I nderuar zoti Berisha unë që po ju shkruaj jam A. I. kam nevojë për ndihmën tuaj. Jam 5 milionë lekë borxh, kam litarin në fyt. Ju lutem më ndihmoni.
355685023790 I nderuar Kryeministër! Jam nga Durrësi i ardhur nga Veriu.Kam shumë halle, i papunë me dy kredi e fëmijët pa bukë. Ju lutem më ndihmoni se jam drejt vetëvrasjes.
3556851865XX I nderuar Zoti Kryeministër. Jam invalide nga Fush- Kruja. Më quajne Vjollca K., do doja të më ndihmonit që të merrja të paktën ndihmën sociale. Ju uroj shëndet.
3556934871XX Jam Kimete I., jetoj në Durrës me shumë vështirësi. Kam marrë 4 kredi, shuma e të cilave shkon 9 milionë lekë të vjetra ndërkohë që jetojmë vetëm me rrogën e tim shoqi prej 150 mijë lekësh të vjetra. Jemi të mbytur në borxhe dhe do t'jua dinim shumë për nder po të na ndihmonit, duke na dhënë një shumè prej 5 milionë lekë të vjetra. Të jeni të sigurt se do t'ua shpërblejmë me pjesëmarrjen tonë në zgjedhje krah jush.
(Vijon)