E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teleskopi zbulon sekretin e ujit në planetin Saturn

Pas 14 vjet hamendësimesh është zbuluar sekreti i burimit të ujit në shtresën e sipërme të atmosferës së planetit Saturn. Nga Express më 26 korrik 2011 në ora 23:00

Regjistrimet e fundit të teleskopit kozmik evropian «Herschel» tregojnë se avulli e ka prejardhjen nga një sërë burimesh në rajonin e polit jugor të Hënës së Saturnit Enceladus. Kjo çdo sekondë çliron rreth 250 kg ujë. Në këtë mënyrë kjo është hëna e vetme në sistemin diellor, e cila influencon përbërjen kimike të planetit amë, vuri në dukje të martën (26.07.2011) në Paris Organizata Evropiane e Astronautikës Esa.

Avulli i Saturnit i padukshëm për syrin e njeriut

Avulli formon një unazë përreth Saturnit. Sipas përllogaritjeve të fundit tre deri në pesë përqind të sasisë së ujit të çliruar nga Enceladus depërtojnë në atmosferën e Saturnit. «Nuk ka asnjë që mund të krahasohet me Tokën», komenton Paul Hartogh nga Instituti Max-Planck i Studimeve për Sistemin diellor në Katlenburg-Lindau, sipas të dhënave të Esa-s. Sipas studiuesve deri më sot avulli nuk mund të studiohej, sepse ai është i padukshëm për syrin e njeriut. Vetëm detektorët e ndjeshëm me rreze infra të kuqe të teleskopit «Herschel» mundën ta nuhasin atë.

"Herschel" Teleskopi kozmik më madh në botë

«Herschel» konsiderohet si teleskopi më i madh i dërguar ndonjëherë në hapësirë. Ky instrument i teknologjisë së lartë, që mban emrin e astronautit Friedrich Wilhelm Herschel (1738-1822), u nis në vitin 2009 dhe në rastin ideal do të mbledhë të dhëna deri në vitin 2013. /dw/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›