E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teli e Lila ndjejnë presionin e Dallkut e Currit

Kuzhe duhet të jetë i kënaqur me një fakt, që tashmë peshon në grupin kuqezi: rivalitetin. Trajneri kroat ka për herë të parë pas shumë kohësh një skuadër të kompletuar dhe peshën e këtij rivaliteti e ndjejnë më së shumti Lila dhe Teli, që me rikthimin e Dallkut e Currit mund të spostohen në stol. Megjithatë, në konferencën e djeshme për shtyp, të dy lojtarët ishin në një mendje. Të gjithë lojtarët në kombëtare janë të rëndësishëm. “Çdo lojtar në kombëtare është shumë i rëndësishëm. Ardhja e lojtarëve që ishin me kartona apo të dëmtuar, nuk ka asgjë të keqe, kjo është shumë pozitive për ekipin kombëtar se janë lojtarë shumë të mirë. Ardhja e tyre do të shërbejë për një ndeshje shumë të mirë ndaj Bosnjës,” është shprehur Lila, ndërsa Teli ka përforcuar: “Kjo është pyetje mbi teknikën, jashtë kompetencave të mia. Por them se përderisa ka alternativa kjo është gjë e mirë për kombëtaren. Nuk ka rëndësi nëse luan Teli apo dikush tjetër, por ne duhet të bëjmë një ndeshje pozitive, pasi është e rëndësishme ecuria e këtij grupi.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›