E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teliti: Pasaportat e vjetra jashtë përdorimit më 2011

15/07/2010 Komisioni i Ligjeve diskuton projektin e ri të Qeverisë

Pasaportat e zakonshme të qytetarëve pritet të dalin nga përdorimi gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011. Gjithsesi, vendimin për afatin e saktë do ta marrë Këshilli i Ministrave. Komisioni parlamentar i Ligjeve diskutoi ndryshimet më të fundit të Qeverisë mbi projektin për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë vendit, si pasojë e futjes së teknologjisë së re biometrike për pasaportë. “Koha për prodhimin dhe shpërndarjen e mjeteve të identifikimit është përcaktuar 2 vjet. Duke qenë se prodhimi i kartave të identitetit nisi në janar të 2009-s dhe ai i pasaportave në maj të po këtij viti, 6-mujori i parë i vitit 2011 është parë si afati më i mundshëm për nxjerrjen nga përdorimi të pasaportave të vjetra”, tha drejtori i Drejtorisë së Gjendjes Civile, Armando Teliti. Referuar pyetjeve të deputetëve të pranishëm, ai sqaroi se emigrantët shqiptarë do të aplikojnë dhe tërheqin pasaportat në konsullatat. “Kemi diskutuar dhe rënë dakord me konsullatat fillimisht të Greqisë dhe të Italisë, që aplikimi dhe marrja e pasaportës nga emigrantët të bëhet pranë konsullatave”, sqaroi drejtori. Projekti gjithashtu parashikon që procedura e aplikimit dhe dokumentet që paraqiten për aplikim përcaktohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm. Kjo pikë e debatueshme në komision u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët e cilësuan shumë të rëndësishme këtë procedurë, duke kërkuar që ajo të përcaktohet me ligj dhe jo me udhëzim të ministrit. Për sa u takon tarifave për pajisjen dhe ripajisjen me pasaportë biometrike, nuk do të jetë më qeveria institucioni që do të merret me këtë, por ato janë të përcaktuara në kontratën koncesionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike” ratifikuar me ligjin nr. 9972, datë 28-07-2008. Me përfundimin e kësaj kontrate, tarifat do të përcaktohen me akte të tjera ligjore dhe nënligjore. Pasaporta biometrike, e zakonshme, tërhiqet pranë drejtorive dhe komisariateve të policisë. Tërheqja e pasaportës biometrike kryhet nga shtetasi ose i ngarkuari me prokurë të posaçme, ose një pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshortja/prindi, fëmija madhor), ose kujdestari ligjor për të miturit dhe për shtetasit pa zotësi për të vepruar. Ndërsa pasaporta e shërbimit dhe ajo diplomatike tërhiqet pranë zyrës përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Kartat dhe pasaportat, kusht

Liberalizimi i vizave, Basha merr vlerësime nga KE

Pajisja e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike është një prej kushteve kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë në kuadër të përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave. Për këtë çështje, Ministria e Jashtme do të informojë Kuvendin e Shqipërisë javën e ardhshme për kushtet që janë plotësuar deri tani nga qeveria për këtë proces. Dje, ministri i Brendshëm Lulzim Basha është takuar me ekspertë të KE-së, nga të cilët ka marrë përgëzimet më të mira për progresin për plotësimin e kritereve shtesë të KE-së për liberalizimin e vizave. “Çdo gjë është në rrugën e duhur”, tha shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit në Drejtorinë e Përgjithshme për Lirinë dhe Sigurinë të KE-së, Luigi Soreca. Ai shoqërohej në takim nga zv.shefi i Njësisë së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Zgjerimit, Vasilis Maragos, dhe kreu i Delegacionit të KE-së, Helmut Lohan. Përfaqësuesit e KE-së vlerësuan se është bërë punë shumë e mirë për strategjinë për riintegrimin e të riatdhesuarve, se kanë konstatuar rezultate të kënaqshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, narkotrafikut dhe trafikut të qenieve njerëzore, si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit, e po kështu vlerësuan përpjekjet dhe rezultatet e deritanishme të agjencive ligjzbatuese në fushën e goditjes së aseteve ekonomiko-financiare të krimit të organizuar.

Statistika

Letërnjoftime elektronike

(deri më 25.06.2010)

Aplikimi total 2 156 000

Shpërndarje në ZGJC 2 143 000

Tërhequr nga qytetarët 1 962 000

Pasaportat biometrike

(deri më 25.06.2010)

Aplikimi total 744 000

Shpërndarje në rajone policie 741 000

Tërhequr nga qytetarët 640 000

Dokumentet për të aplikuar për pasaporte biometrike:

Kuponi i pasaportës për aplikim (kupon i pagesës, i cili blihet pranë çdo zyre të postës shqiptare)

Letërnjoftim për shtetasit mbi 16 vjeç

Për shtetasit nën 16 vjec, një nga dokumentet e mëposhtme:

• Pasaporta.

• Certifikatë personale me fotografi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›