E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen shpenzimet e zbritshme për individët

15/07/2010 Tatim në burim dhe për pronat e trashëgueshme, si dhe fitimet nga lojërat e fatit

Qeveria ka miratuar dje projektligjin mbi deklarimin e të ardhurave personale, me qëllim rimbursimin e tatimit të paguar shtesë. Ndërkohë në draft është parashikuar dhe saktësimi i tatimit në burim për të ardhurat nga trashëgimia, si dhe nga lojërat e fatit. Ndërkohë që dhe këto dy kategori do të përfshihen dhe në të ardhurat e tatueshme. Vendime këto që tashmë janë të saktësuara në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Ndërkohë që drafti saktëson tatimin e zbritshëm për individët.

Deklarata vjetore e të ardhurave

Në ndryshimet e vendosura saktësohet se tatimpaguesit individë apo të vetëpunësuarit, rezidentë në Shqipëri, si dhe jorezidentët, që realizojnë të ardhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi.

Përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar deklaratën vjetore të të ardhurave:

tatimpaguesit që janë të vetëpunësuar e që kanë një qarkullim vjetor deri në dy milionë lekë; tatimpaguesit individë, të cilët gjatë një viti realizojnë të ardhura vjetore deri në shumën dyqind mijë lekë.

Zbritja

Përveç tatimpaguesve, deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin të bëjnë deklaratën, megjithëse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, që duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj. Çdo deklaratë vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e letërnjoftimit të individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit. Të zbritshme do të jenë shpenzimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, kur kontributi është deklaruar si i paguar në burim, por rezulton të jetë i papaguar; shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët e për personat në kujdestari; shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët e për personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, në masën deri në 4.1 për qind të të ardhurave bruto, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Shkalla tatimore e aplikueshme mbi të ardhurat e tatueshme të tatimpaguesit, që plotëson deklaratën vjetore të të ardhurave, është 10 për qind. Ndërsa deklarata dorëzohet në drejtorinë tatimore rajonale më të afërt me vendbanimin e tatimpaguesit, dorazi, me postë apo në rrugë elektronike.

“Neni 13/1

Deklarata vjetore e të ardhurave plotësohet nga tatimpaguesi që mbart detyrimin për të deklaruar, në përputhje me nenin 13, të këtij ligji, dhe përmban të dhëna për të ardhurat bruto, për shpenzimet e zbritshme të kryera, si dhe për tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore.

Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që brenda 3 (tri) muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme.

Për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme për fëmijët e mitur dhe për personat në kujdestari, të parashikuara në shkronjat “b” e “c”, të pikës 1, të nenit 13/3, të këtij ligji, pjesa e deklaratës që u përket këtyre shpenzimeve, plotësohet vetëm nga kryefamiljari.

Mënyra e plotësimit nga kryefamiljari e deklaratës për pjesën e shpenzimeve të zbritshme, për rastet e parashikuara në pikat 2 e 3 të këtij neni, rregullohet me udhëzim të ministrit të Financave.

Të dhënat për të ardhurat bruto

1. Tatimpaguesi në deklaratën vjetore të të ardhurave jep të dhëna për të ardhurat bruto, në të cilat përfshihen:

a) të ardhura bruto nga paga apo të ardhura të tjera nga marrëdhëniet e punësimit;

b) të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit;

c) të ardhurat bruto nga qiraja apo shitja e sendeve të luajtshme apo të paluajtshme, në pronësi të deklaruesit;

ç) të ardhurat bruto nga interesa bankare;

d) të ardhura bruto të krijuara nga investimet në tituj, në pasuri të luajtshme apo të paluajtshme;

dh) shuma bruto të fituara nga lotari apo nga lojëra të tjera të fatit;

e) të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike;

ë) të ardhurat bruto nga skema të sigurimit suplementar;

f) të ardhurat bruto nga trashëgimia dhe dhurimi;

g) të ardhura bruto të tjera, për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›