E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotjet e hidrokarbureve "mbysin" fermerët fierakë

15/07/2010 Mbetjet e kompanive të naftës derdhen në kolektorin e Roskovecit, derdhen në Seman

FIER- Ndotjet e mëdha të hidrokarbureve në rrethin e Fierit vazhdojnë të shkaktojnë dëmtime të mëdha. Dy kompanitë e mëdha të naftës “Albpetrol” dhe “Bankers petrolium” që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës derdhin mbetjet e hidrokarbureve në kolektorin e Roskovecit, i cili pasi përshkon një rrugë prej 30 km, derdhet në bregdetin e Semanit. Ditët e fundit derdhjet në këtë kolektor janë shtuar edhe më, si pasojë e rritjes së sasisë së mbetjeve të hidrokarbureve dhe derdhjet jashtë kritereve.

Ndotja

Banorët e zonës përreth pohojnë se ndotja është shkaktuar nga pakujdesia e këtyre 2 kompanive në rezervuarin e naftës. Sipas banorëve, dëmi i shkaktuar nga këto kompani kapin një vlerë rreth 100 mijë dollarë. Ndërkohë dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në tokat bujqësore rreth kolektorit të Roskovecit, në gjatësinë e tij rreth 30 km. Fermerët thonë se veç dëmeve të mëdha në organizmin e tyre dhe sidomos fëmijëve janë të konsiderueshme edhe në kulturat bujqësore.

“Jemi shumë keq, sa nuk mund të themi më asgjë”,-pohon Arshi Bregu banor i Marinzës. Kemi folur dhe stërfolur vite me radhë protestuar, por zërin tonë se dëgjon askush. Mbjellin kulturat bujqësore nuk arrijmë t’i korrim, kështu me grurin, foragjeren, perimet etj. Na lëshojnë solarin këtu dhe sëmundjet kanceroze që nuk dimë se ku të shkojmë. Pasditeve sidomos këtu nuk rrihet nga era e rëndë e padurueshme e solarit dhe mbetjeve hidrokarbure. Këtu pa kundërgaz nuk jeton dot. Të vijë të shikojë njëherë ministri i Ambientit se ç’bëhet këtu? Nuk bëhet asgjë, kemi mbjellë si fshat rreth 400 rrënjë zerdeli, gjysma janë tharë. Ne kërkojmë pastrimin e kolektorit”. Përballë kësaj situate janë drejtuesit e kompanive, të cilët sipas fermerëve nuk duan t’ia dinë për ndotjen e krijuar. Derdhja e hidrokarbureve në kolektor është një fenomen që ndodh prej shumë vitesh. Me gjithë gjobat e vëna nga sesioni i mjedisit, në Bashkinë Fier, sërish kompanitë ndotëse vazhdojnë të punojnë të pashqetësuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›