E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkeljet në prag të fushatës elektorale në Shqipëri nuk po ndëshkohen

berisha-may-14Raportimet për presione ndaj punonjësve të administratës publike shqiptare për të marrë pjesë në mitingjet politike në prag të nisjes së fushatës elektorale, nuk po monitorohen nga komisioni i zgjedhjeve për shkak të një mungese ligjore, thotë një ekspert

Nga Besar Likmeta, BIRN

Edhe pse zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nuk nis deri më 24 maj, partitë politike kanë nisur që tani të bëjnë fushatë nëpër vend.

Ndërkohë që fushata zgjedhore ka ndezur motorët, në media janë shfaqur raportime në lidhje me presionin që po ushtrohet ndaj administratës publike për të marrë pjesë në mitingjet politike.

Megjithatë, raporte të tilla nuk monitorohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, thotë për Balkan Insight Premto Gogo, kreu i OJF-së KRIIK, që është pjesë e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.

Ka të dhëna për abuzime në nivelet e qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, tha Gogo. Megjithatë kodi zgjedhor i lejon KQZ-së që të monitorojë dhe të marrë masa vetëm ndaj incidenteve të tilla në kohën e fushatës zyrtare elektorale, shton ai.

Përdorimi i burimeve të administratës publike për qëllime politike gjatë një fushate elektorale nuk është e ndaluar vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe me një vendim të Këshillit të Ministrave, të miratuar në vitin 2011.

Çfarë ndodh përpara fushatës nuk mbikëqyret nga ndonjë institucion dhe i vetmi vendim është ai moral, përfundon Gogo.

Shqipëria ka një histori të gjatë zgjedhjesh që nuk plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe që i japin fund mosmarrëveshjeve politike. Zgjedhjet e 23 qershorit shihen si një test kyç për aspiratat tashmë të goditura për anëtarësim në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›