E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Ambasadorët: Dëbimi i romëve do të pasqyrohet në progres- raport. Është një nga 12 kushtet e BE (VIDEO)

romet 2Ashtu siç ishte paralajmëruar, duket se çështja e dëbimit të romëve do bëhet pengesë për marrjen e statusit të kandidatit brenda këtij viti.

Ambasadorët e mbledhur në një tryezë të rrumbullakët nga Avokati i Popullit, kanë deklaruar se dëbimi i tyre do pasqyrohet në progres- raport, pasi të drejtat e romëve janë një ndër 12 kushtet e BE për integrimin.

Në takim mungonin përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës.

Bashkimi Europian ka akorduar 3 milion euro për të drejtat e romëve në Shqipëri. Ky komunitet duhet të ketë shanse të barabarta me të gjithë të tjerët. Autoritetet duhet të sigurohen për zgjidhje ligjore, tha ambasadori i BE, Etore Sekui.

Avokati i Popullit, Igli Totozani tha se situata është shqetësuese.

Ai tha se duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë dhe e qëndrueshme.

Propozimi konkret është që 37 familjet rome që banojnë në Tiranë të marrin sa më shpejt ndihmën ekonomike. Gjithashtu kemi bërë rekomandimin për zotin Basha dhe zotin Ksera, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme e dinjitoze për qytetarët romë, deklaroi Totozani.

Familjet rome kaluan një tjetër natë në qiell të hapur. Në pamundësi për të pasur një strehë, kanë zgjedhur lulishtet e Tiranës, ku po dergjen gra, burra dhe fëmijë shumë të vegjël.

Ndërkohë, alternativa e vetme e ofruar zyrtarisht për familjet rome si strehim, janë disa kazerma në periferi të Kombinatit, që dikur njihej si Reparti i Raketave.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka bërë me dije se është fituar tenderi për rikonstruksionin e tyre dhe se për çështje ditësh nisin punimet. Por, nëse familjet aktualisht ne rruge mund të kenë një pritshmeri për këtë strehë, sado që ajo të vonojë të jetë gati, të tjera familje rome qëndrojnë të strehuara aty.

Edhe pse pretendohet se u është ofruar një zgjidhje për strehim, familjet rome thonë se jetojnë në kushte të mjerueshme. Pa ujë të pijshëm, drita dhe shumë larg zonës së banuar.

Rreth një vit më parë u është dhënë e drejta për strehim në këto kazerma mbi 20 familjeve rome, por shumica e tyre kane refuzuar ofertën./ep

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›