E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Arvizu paralajmëron qëndrim të fortë për KQZ-në: Prisni pak dhe sdo zhgënjeheni (VIDEO)

arvizAmbasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, paralajmëron një qëndrim të ashpër publik të Uashingtonit zyrtar, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Prisni në ditët e javët e ardhshme. Besoj se nuk do të zhgënjeheni, u shpreh diplomati amerikan, i pyetur nga mediat pas një aktiviteti.

Ambasadori Aleksandër Arvizu tha se në ditët në vijim SHBA-ja do të bëjë publik pozicionin e saj, për problematikën e lindur në KQZ pas shkarkimit të të propozuarit nga LSI-ja, Ilirjan Muho, që u pasua me dorëheqjen e 3 anëtarëve të zgjedhur nga opozita në këtë institucion.

Me gjithë insistimin e gazetarëve për të mësuar diçka më tepër për deklaratën e pritshme të SHBA-së, ambasadori duke buzëqeshur pohoi se ajo nuk do të jetë zhgënjyese për mediat, çka nënkupton se reagimi pritet të jetë i qartë dhe i fortë.

Ambasada e Uashingtonit në Tiranë i kërkoi qeverisë shqiptare të ndalte shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, duke lajmëruar se ky veprim do të binte ndesh me politikën e SHBA-ve, por kryeministri Berisha nuk hoqi dorë nga nisma e tij.

Aktualisht KQZ funksionon me 4 anëtarë, njëri prej tyre i miratuar njëanshëm nga shumica parlamentare, si propozim i Partisë Republikane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›