TemA TV/ Berisha: Fermeri është kujdestari i Zotit për tokën. Patozi: Rama urren fshatin pse voton Berishën. Olldashi tregon barsoleta (VIDEO)
Partia Demokratike ka vijuar me modelin e konventave të kopjuara nga fushatat amerikane.
Kësaj here në Pallatin e Kongreseve ata kanë folur vetëm për fshatin dhe fermerët.
Kryeministri Sali Berisha tha se fermeri është kujdestari i Zotit për tokën. Si herën e parë, Berisha nuk sulmoi Ramën.
Përulem me nderimin më të madh para të gjithë fermerëve të Shqipërisë. Këtu u fol për punën e bërë gjatë këtyre viteve për zhvillimin rural. Ne jemi krenarë, vlerësojmë dhe frymëzohemi prej fermerëve. Tek fermerët puna nuk mbaron kurrë dhe ne u detyrohemi atyre shumë më tepër se kaq sa kemi bërë. Fermeri është kujdestari i Zotit për tokën, rrudhat e tyre janë vulat e Zotit për punën e tyre të mrekullueshme dhe ne do të bëjmë gjithçka për tua shpërblyer atë që ata bëjnë për shoqërinë.
Do të bëjmë gjithçka që çdo fshat i Shqipërisë të ketë infrastrukturën më të nevojshme dhe të përshtatshme, tha Berisha.
Ju inkurajoj që të ecni sa më shumë drejt prodhimeve bio, që ato të bëhen të njohura në të gjithë Europën. Ne qëndrojmë të vendosur që në katër vitet që vijnë të shumëfishojmë prodhimin e fermerëve shqiptar.
Do të trefishojmë grantet për fermerët, do të nxisim prodhimin në mbarë Shqipërinë. Gjatë katër viteve që vijnë do të bëjmë gjithçka për të dyfishuar prodhimin e mjaltit, gjithashtu edhe peshkimi do të ketë përparësi të madhe. Kemi hequr tarifat për çdo gjë që nevojitet për peshkimin, TVSH-ja për hekurin për serat nuk do të ekzistojë më, vijoi kryeministri.
Por ndërsa Berisha nuk e sulmoi kundërshtarin, këtë gjë e bënë pjesëtarët e tjetër të PD.
Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, tha se bamirësitë e Ramës do e vrasin fermerin.
Edi Rama është për taksën progresive dhe ne themi, njerëz bëni kujdes sepse ai mendon vetëm se si e si taksat ti rrisë në mënyrë progresive. Për 11 vjet qytetarët kanë parë një Ramë kryetar bashkie që dyfishoi taksat për qytetarët e Tiranës. Ka deklaruar se do heqë TVSH dhe për prodhimet bujqësore dhe ushqimore, kjo bamirësi e Ramës vetëm do ta vrasë fermerin shqiptar. Plani i Edi Ramës është një dhe vetëm një, rritja e taksave për biznesin e mesëm. Ne duhet të ndalojmë që rritja e taksave të ndodhë në Shqipëri, tha Ruli.
Kurse Astrit Patozi deklaroi se Rama e urren fshatin pse ai voton për Berishën.
Zoti Rama ka një vizion të krijuar në odën e tij të fantazive, ai sdo që Shqipëria rurale të zhvillohet, nuk punon që gjithë shqiptarët të zhvillohen njësoj, do të vërë mur bllokues për zhvillimin e fshatrave, duket se ai thellë- thellë e urren fshatin, banorët e Shqipërisë rurale i ka konsideruar si injorantë që votojnë Saliun.
Ndërsa ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tregoi një barsoletë.
Nuk e di kush e ka pasur rastin të shohë Ramën duke përkëdhelur një gomar në fshat dhe të mësojë edhe atë incidentin me bariun, që kish një tufë dhensh. Për ta vënë në siklet, e ka pyetur:
-Po e gjeta sa dhen ke ti aty, a do më votosh?
-Po e gjete ti, tha bariu, unë të jap një sheleg!
Një i PS-së kërkoi në Google Earth dhe i tha se kishte 968 dele.
- Tani, a do ma japësh votën, i tha Rama, bariut.
-Para se të të jap votën, i tha bariu, dua të më kthesh atë që më ke marrë. Ju jeni të opozitës dhe e dini ju nga e gjej unë se kush jeni? E para, vini pa ju ftuar kush; e dyta, na tregoni gjithmonë gjëra që i dimë dhe e treta, më kthe qenin, se më ke marrë qenin dhe jo shelegun!
Kurse Jozefina Topalli lëshoi një lumë lëvdatash për kryeministrin.
Ne kemi afruar shërbime në fshat, kemi bërë më të lehtë aksesin e fermerëve për shërbime më të specializuara, megjithatë nuk e kemi quajtur të mbaruar punën. Kemi lidhur fshatin jo me komunën, por me ekonominë botërore. Këtu kam infermierin dhe doktorin e fshatit Manzë si dhe një nxënës që ka përfituar nga internet në fshatin e tij, në Marikaj sepse sot kemi 12 mijë kompjuterë në shkollat e fshatit dhe çdo nxënës, kudo ku jeton, bëhet gati për konkurrencë dixhitale. Ne kemi siguruar 100 zyra postare që afrojnë internet falas. A thotë të vërtetën Berisha për këto apo fshati është ai që shkarravit ai tjetri?! tha ajo./ep