Berisha në Dibër: Rrugën e Arbrit se bëra se doli një problem me tunelin. Do u bëjmë një universitet
Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në qytetin e Peshkopisë në hapje të fushatës elektorale, deklaroi se Rruga e Arbrit do kishte përfunduar, po të mos ishte një problem me tunelin.
Rruga e Arbrit do kishte përfunduar, por na doli një problem gjeologjik me tunelin e Murrizit, që e bënte e pamundur ndërtimin e tunelit. U detyruam të projektojmë nga e para. Vepra më e parë e dy viteve të para do jetë tuneli i Murrizit, Rruga e Arbrit dhe Boshti i Jugut, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi po ashtu se do të hapin edhe Universitetin e Dibrës, pasi dibranët janë të zgjuar.
Shumë shpejt do ngremë universitetin e Dibrës. Një nga miqtë e mi më të shkëlqyer, më të mençur, më të mëdhenj, që kam pasur në jetën time më thotë një ditë: Sali, universitetin më të madh, më të shkëlqyer e kam bërë me dibranët, tek dibranët. Ndaj dhe universitetin do e ngremë të standardeve më të mira, tha Berisha.
Kryeministri vazhdoi duke thënë se dibranët janë aq të zgjuar sa të mos e besojnë Ramën.
Duke u hequr si nacionalist, Berisha tha se Rama i dha çelësin e Tiranës Goran Bregoviçit, njeriut që ka thurur masakrat në Kosovë. Një deklaratë të tillë e përdori edhe në Kukës.
Platforma e Ramës është përçarja, erdhi këtu e u tha se Berisha u ka injoruar. Por përgjigjen do ia jepni ju vetë. Socialistëve u tha se demokratët u japin raki me sheqer dhe ju votoni demokratët. Dibranët janë të mençur dhe punëtorë si ata. Dibranët, socialistë dhe demokratë, nuk mund të pajtohen me ty, sepse ti shkelmon mbi aspiratat e tyre evropiane, tha Berisha.
Dibranët nuk i harrojnë nofkat dhe sharjet që ke përdorur për Shqipërinë. Ke vendosur çelësin e artë mbi gjoksin e njeriut që thuri masakrat e Kosovës, vijoi kryeministri.
Në fund të fjalimit, Berisha tha: Dibranët janë të vendosur që më 23 qershor ti japin Shqipërisë mandatin e pestë. Do të lënë ty përjetësisht në autobus./ep