FRD çel fushatën në Durrës, Topi: Do marrim dy deputetë në këtë qark
Partia Fryma e Re Demokratike ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale në qytetin e Durrësit. I pranishëm në këtë takim, kreu i FRD-së Bamir Topi vlerësoi kandidatët e FRD-së për këtë qark ndërsa akuzoi politikën e vjetër për nxjerrjen e parlamentit jashtë funksionit. FRD do ti rikthejë parlamentit etikën e komunikimit dhe do të vendosë interesat e qytetarëve mbi interesat meskine të politikanëve të vjetër. Parlamenti shqiptar ka nevojë për një zë të tretë që ti thotë politikanëve të vjetër se nuk jeni vetëm ju që përfaqësoni gjithë shoqërinë shqiptare. Ne do të shkojmë ne zgjedhje në 23 qershor për të ndryshuar situatën e për thyer bipolarizmin i cili ka shkaktuar trauma në politikën dhe ekonominë shqiptare. Politika, u duhet ti ngjajë një lumi të rrjedhshëm që të ketë mundësi të rigjenerojë elita dhe vlera dhe të mos mbetet peng i një njeriu, tha Topi. Në vijim, kreu i FRD-së akuzoi kryeministrin dhe ministrat se kanë humbur lidhjet me zgjedhësit dhe kërkojnë tu blejnë votën qytetarëve për të ricikluar pushtetin. Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit, Topi tha se FRD do të marrë dy mandate në Durrës. Ne kemi të dhënat tona dhe nuk impresionohemi nga frika e të tjerëve për të realizuar sondazhe, qarku i Durrësit do të shkojë në zgjedhje për ti garantuar FRD-së së paku dy deputetet në Kuvendin e Shqipërisë, u shpreh Topi. Lista e kandidatëve të FRD-së kryesohet nga deputeti Gazmend Oketa.