Majko: Pas 23 qershorit kryeministër një dhëndër Tirone
Deputeti Pandeli Majko, njëherësh edhe kryesuesi i listës së kandidatëve të PS-së për qarkun e Tiranës në fjalën e tij tha se nga Tirana do të nisë rruga e fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit.
Deklarata
Ne kandidatët e qarkut të Tiranës marrim përsipër të përfaqësojmë në kuvend dëshirën e kryeqendrës së shqiptarisë, Tiranës tonë të dashur për të nxjerrë vendin nga stanjacioni. Tirana është si shpirti i trazuar i shqiptarit, ku flenë bashkë zhgënjimi dhe ëndrra. Në emër të ëndrrës, ne socialistët do të trokasim tek dera e Tiranës dhe tek zemra e Tiranës. Në tiranë fillon Shqiptaria dhe Shqipëria që po troket drejt familjes ku kemi vendin, në BE. Ndërgjegjja e Tiranës është e pandarë nga njerëzit e mirë e patriotë, tha Majko.
Kryeministri
Duke u ndalur tek kryeministri i ardhshëm Majko tha se ai do të jetë një dhëndër Tirone, dhe një djalë i lindur dhe i rritur në kryeqytet. Majko ka theksuar se fati i Shqipërisë nuk ka çmim, ai vendoset vetëm nga vota sovrane e popullit shqiptar. Fitorja e lirisë së votës dhe mbrojtja e lirisë së shqiptarëve i bën zgjedhjet e 24 qershorit një betejë historike. Pas çdo militanti qëndron një shqiptar. Pas çdo flamuri partiak, qëndron flamuri ynë kombëtar. Pas 23 qershorit nuk do të ketë humbës, por fitues dhe kjo është Shqipëria, Atdheu ynë. Fitorja e 23 qershorit do të filloje nga Tirana. Pas 23 qershorit ne ju premtojmë një dhëndër Tirone për kryeministër. Koha vrapon drejt nesh dhe ne marshojmë drejt saj. Pas 23 qershorit do të sjellim në qeverisjen e vendit një djalë që lindi dhe u rrit në Tiranë, ai është kryeministri i ardhshëm Edi Rama, deklaroi Pandeli Majko. Kjo është hera e parë që Majko kandidon në Tiranë, ndërkohë që gjatë gjithë karrierës së tij poltike, që nga viti 1992 ka qenë deputet i qytetit të Korçës. Qarku i Tiranës është edhe qarku më i madh në vend i cili nxjerr edhe numrin më të madh të deputetëve, 32 deputetë. Në zgjedhjet e 2009-ës PD dhe PS arritën të siguronin nga 15 mandate në këtë qark.
Tahiri: Në 23 qershor e kemi të lehtë të mundim Berishën
Deputeti Samir Tahiri, tha se në 23 qershor shqiptarët me votë do të votojnë për përmbysur sistemin që ka lënë qytetarët të fundit dhe pushtetarët të parët. Kjo është skuadra e fitores më 23 qershor. Jemi shumë brenda dhe jashtë kësaj salle. Jemi aq shume sa në 23 qershor e kemi fare të lehtë të mundim Berishën. Në 23 qershor ne shkojmë për të përmbysur sistemin që ka lënë qytetarin të fundit dhe pushtetarët të parët. Nuk jemi mbledhur vetëm për të prezantuar skuadrën e rilindjes për Tiranën, jo, më shumë se kaq. Kemi besimin se në 23 qershor do të fitojmë me PS dhe Ramën, në mënyrë që këtë sistem të kalbur ta hedhim poshtë njëherë e mire. Fitore e të gjithëve, tha Tahiri.
Bushati: Garanci është Edi Rama, fuqia e ndryshimit të Tiranës
Ditmir Bushati duke ju drejtuar të pranishmëve tha se garancia e Partisë Socialiste në këto zgjedhje është kryetari Edi Rama. Gjatë këtyre katër viteve ne kemi pasur të gjithë vështirësi dhe kemi bërë sakrifica të panumërta. Katër prej nesh u vranë në bulevard vetëm sepse protestuan për liri. Të tjerë humbën vendet e punës, të tjerë u detyruan të ikin në emigracion për një jetë më të mirë. Sot ne kemi përgjegjësi historike ta çojmë përpara Shqipërinë. Ta bëjnë Shqipërinë atje ku rilindësit e kërkuan. Të vëmë në jetë amanetin e rilidnasve tanë. Sot ne kemi një ekip edhe më solid. Sot kemi një koalicion më të gjerë me grupe të ndryshme të interesit që kërkojnë ndryshim. Kemi një garanci, garancia është Edi Rama, fuqia e ndryshimit të Tiranës, tha Bushati.
Xhafaj: Populli do ta ndëshkojë rëndë Berishën në 23 qershor
Deputeti Fatmir Xhafaj akuzoi kryeministrin Beisha s eka shkelur ligjin dhe Kushtetutën e vendit, ndërsa shtoi se për këtë do ndëshkohet rëndë në 23 qershor. Tirana do ti japë një mësim të mirë neodiktatorit të ri, neodiktatorit të vetëm Sali Berishës. Berisha thotë ata me Edi Ramën janë në autobus. Por zotëri ne udhëtojmë me autobus siç udhëtojnë qytetarët, jo si ty me jelek antiplumb dhe makinë të blinduar. Sepse zotëri ti ke frikë nga populli yt, sepse e ke dhunuar popullin tënd, e ke lënë të papunë, e ke shtypur e ke vrarë dhe populli yt do të gjykojë më 23 qershor, sepse Kushtetuta dhe ligji janë të shenjta. Ti ke shkelur Kushtetutën dhe ligjin dhe rrjedhimisht ke shkelur popullin dhe interesat e tij. Dhe populli do të ndëshkojë rëndë më 23 qershor, tha Fatmir Xhafaj.