TemA TV/ Berisha sulmon Nabucco-n dhe thotë se këto kanë qenë vite të arta për energjetikën (VIDEO)
Kryeministri Sali Berisha, ndërsa ka marrë pjesë në konferencën Shqipëria, një model i ri zhvillimi, ka sulmuar Nabucco-n për projektin e vet për projektin e gazsjellësit nga Kaspiku në Europë. Kjo, duke qenë se projekti i Nabucco, që duhet thënë se mbështetet nga SHBA, është rival me TAP, projekti i të cilit përfshin edhe Shqipërinë.
Jemi në prag të një vendimi të madh historik të konsorciumi Shah Deniz 2, se cili do të jetë vendimi, do ta shohim nga fundi i muajit qershor, por një gjë do të jetë e qartë si drita e diellit, projekti më fizibël, më ekonomik, më i strukturuar, është projekti i TAP.
Unë uroj dhe besoj se vendimi do të jetë për këtë projekt, për të cilin konsorciumi serioz ka vite të tëra që e elauburon gjithçka në detaje. Ka vite të tëra që ka përgatitur çdo gjë dhe është i gatshëm të fillojë punën. Dua të theksoj këtu se edhe për ekuilibrat energjetike të Europës ky projekt duhet marrë me përparësi. Ndaj Nabucco Light, i cili është një projekt në nxitim e sipër, është një projekt që lindi nga projekti Nabucco Big. Me këtë nuk duhet të them se nuk duhet të ndërtohen, por koha pret. Uroj dhe shpresoj që vendimi të jetë i bazuar mbi parimet e tregut. Ne nga konsorciumi nuk kërkojmë gjë tjetër veçse respektin e plotë të rregullave të tregut, ka thënë Berisha.
Ndërkohë, ai është shprehur se Shqipëria gjatë viteve të fundit, ka përjetuar vitet e arta të saj në fushën e energjetikës.
Këto kanë qenë vite jo të lehta për ekonominë e shumicës së vendeve të zhvilluara. Kanë qene vite krize, por këtu në Shqipëri në fushën e energjetikës këto kanë qenë vitet më të mira në tërë historinë e energjetikës shqiptare. Qeveria shqiptare ka firmosur me kompanitë e energjisë së vendeve të ndryshme të Norvegjisë, Italisë, Turqisë, Austrisë dhe shumë vendeve të tjera 127 kontrata, për ndërtimin e 363 hidrocentraleve nga 443 që janë për tu ndërtuar të vegjël të mesëm dhe të mëdha, pastaj në mikro ata janë të panumërt. Në këtë sistem dhe nga këta 363 hidrocentrale, me te cilët janë firmosur kontrata 53 kanë përfunduar. Dhjetar e dhjetëra të tjerë janë afër përfundimit e në ndërtim e sipër. Këto ditë fillojnë punimet e projektit më të madh në historinë e energjetikës shqiptare, që është projekti i Kaskadës së Devollit, por së shpejti po këto ditë fillon Kaskada e Fanit. Në të katër anët po ndërtohet, çka dëshmon për një perspektivë reale, të energjisë të kësaj fushe në Shqipëri, tha ai./b.l