E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA TV/ Rama: Kur njerëzit duan bukë dhe punë, nuk u thuhet NATO (VIDEO)

ramaKryesocialisti Edi Rama ka marrë pjesë gjatë ditës së sotme në Forumin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Perspektiva ekonomike 2013 2017.

Rama, duke iu referuar krizës botërore, tha se ajo ka prekur edhe vendin tonë, për shkak të vendeve fqinje.

Kriza e vendeve fqinjë ka ndikuar mbi Shqipërinë, qoftë nga ardhja e emigrantëve të cilët janë kthyer dhe nuk kanë gjetur kushtet e përshtatshme për punësim, ose në formën e rënies së të ardhurave në vendet nga ata vijnë. Ky është një transformim që po pëson bota dhe ku ne duhet të integrohemi.

Është një sfidë e madhe të riorganizosh mjedisin për të rimëkëmbur sipërmarrjen. Çdo krizë është një mundësi, një shans dhe një rrugëdalje e re dhe ne duhet ta shohim si të tillë dhe besoj se do tia dalim. Do të jemi të detyruar të shohim përtej modelit ekonomik të ndjekur deri më sot. Ky model nuk prodhon energji të reja dhe as stabilitet ekonomik dhe financiar, u shpreh Rama.

Lideri i opozitës Edi Rama, për herë të parë dha detaje të sipërmarrjes së opozitës për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronave.

Kjo do të behet përmes një operacioni publik për kthimin dhe kompensimin e pronave, për të cilën ai shtoi se është kontaktuar edhe një agjenci e huaj e specializuar.

Te kjo do të bazohemi edhe në shtënien në dorë të dokumenteve origjinale të pronësisë simotra të dokumenteve të falsifikuara, që mbetën në Shqipëri pas ardhjes së komunistëve në pushtet dhe do t’i marrim nga një vend mik. Do të bëjmë rishikimin e të gjitha koncesioneve dhe e të gjitha privatizimeve që janë të dyshuara si në dëm të publikut. Jemi duke punuar aktualisht me një agjenci shumë të specializuar ndërkombëtare dhe kemi marrë miratimin në parim për të bashkëpunuar. Këto do të na japin mundësi shumë të mëdha për të zgjidhur problemin e pronës dhe për të gjeneruar dhe të ardhura në funksion të kompensimeve të nevojshme, aty ku prona fizikisht është e pakthyeshme, tha Rama.

Ai është shprehur për modelin ekonomik që duhet ndjekur në vend, pasi sipas Ramës, modeli i ndjekur deri më tani nga qeveria, është i shteruar. Sipas tij, njerëzit në Shqipëri sot duan punë dhe bukë, ndërsa Berisha u përmend anëtarësimin në NATO.

Ne jemi të detyruar të shohim përtej modelit të ndjekur deri më sot. Ky model ka shteruar. Nuk prodhon dot me as energji të reja, por as stabilitet ekonomik dhe financiar. Ne besojmë që një hapësirë e pashfrytëzuar është hapësira rurale e vendit. Një plan i mirëkonceptuar për një zhvillim modern rural, do të na jepte mundësinë që të ndërtonim një nga shtyllat e ekonomisë. Një ekonomi prodhuese është një tjetër shtyllë që ne duam të ndërtojmë për të mbështetur maksimalisht shtimin e investimeve dhe për ta shoqëruar këtë me kualifikimin e krahut të punës. Së treti, sigurisht që Shqipëria mund të bëjë shumë edhe në drejtim te shërbimeve. Turizmi mbetet një nga shërbimet kryesore, por një turizëm i konceptuar krejt ndryshe nga sa është konceptuar deri më sot, tha Rama.

Sipas tij, socialistët do të marrin një sërë masash për ristrukturimin e ekonomisë shqiptare.

Njëra pikë është si do të strukturojmë rrugëdaljen nga kriza e ekonomisë familjare shqiptare. Dhe pika tjetër është si të gjejmë rrugëdaljen nga kriza e ekonomisë kombëtare. Ne besojmë që ka një problematikë shumë më komplekse se sa ajo e sistemit fiskal, për të hapur rrugën e zhvillimit. Eshtë një problematikë që lidhet me shtetin, me mosfunksionimin e administratës, mosfunksionimin e sistemit gjyqësor, moszgjidhjen e çështjes së pronës, me moskualifikimin e krahut të punës dhe me mungesën, ndoshta kjo është e para për nga rëndësia, mungesën e lirisë së konkurrencës dhe ekzistencën e një nyjeje shumë shtrënguese për ekonominë që lidhet me klientelën e pushtetit. Mungesa e marrëdhënieve normale kontraktuale mes shtetit dhe sipërmarrjes, borxhet e mëdha të akumuluara për shkak të mungesës së seriozitetit nga shteti, përbëjnë një kompleksitetit që duhet adresuar me shumë forcë që në fillim, për të krijuar një marrëdhënie të re mes shtetit dhe sipërmarrjes, tha Rama./b.l

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›