TemA TV/ Bode: Borxhin do e ulim me paratë e privatizimit të 4 HEC-eve (VIDEO)
Para tre ditësh qeveria shqiptare ka arritur të arkëtojë gjysmën e shumës së privatizimit të katër HEC-eve, që janë blerë nga firma Kurum.
I pyetur nga Vizion Plus, ministri i Financave Ridvan Bode ka sqaruar se deri tani në arkën e shtetit janë hedhur 57 milion euro të cilat do të shkojnë për të ulur borxhin publik.
Kreu i financave nuk ka pranuar se qeveria ka rritur deficitin buxhetor dhe as borxhin e brendshëm. Ai u shpreh se gjatë muajve të parë të këtij viti është kryer vetëm huamarrje e përkohshme e cila do të shlyhet me lekët që do të merren nga privatizimet.
I lejuam vetes që të marrim borxh të përkohshëm, i cili shumë shpejt do të lahet me paratë e privatizimeve, nuk do të tejkalojmë shifrën e borxhit që kemi parashikuar në buxhet, tha Bode.
Për sa i përket ankesave që kanë bërë shoqatat e biznesit se qeveria i ka disa milionë euro borxh firmave për punët e kryera publike, ministri Bode u përgjigj: Kemi kryer të gjitha pagesat për punët publike që janë parashikuar në buxhetin e 2013-ës, dhe përveç kësaj kemi dhënë edhe 105 milionë euro më shumë se shifrat që kemi parashikuar në këtë buxhet /b.l