TemA TV/ Kolegji pranon ankesën e LSI për Kukësin, do ketë ekspertim të pamjeve filmike (VIDEO)
(E PERDITESUAR)- Kolegji Zgjedhor ka pranuar ankesën e LSI-së për Qarkun e Kukësit.
Kolegji pranoi të administrojë si prova pamjet filmike të LSI-së për mospërputhje të votave.
Kolegji Zgjedhor ka vendosur se do të kryhet një akt ekspertimi lidhur me qarkun e Kukësit, nga ekspertë të LSI dhe PD.
Rreth orës 18:00 Kolegji Zgjedhor u mblodh sërish, ndërsa PD dhe LSI paraqitën emrat e ekspertëve. LSI ka propozuar emrin e Ardian Pollos, ndërsa PD atë të Zamir Hoxhës.
Këta të fundit janë ekspertë të teknologjisë së informacionit dhe pasi janë betuar për paanshmëri dhe profesionalizëm kanë marrë edhe pamjet filmike të depozituara pranë gjykatës nga KQZ.
Ekspertët do të sjellin më 25 korrik akt- ekspertimin e tyre.
Mandati i tretë i PD-së dhe mandati i LSI-së në Qarkun e Kukësit i ndajnë një grusht votash. Fillimisht u përfol për një ndarje mandatesh 2 me 2 mes aleancës së majtë dhe asaj të djathtë, por më vonë tabelat u korrigjuan nga KQZ dhe Partia Demokratike mori 3 mandate, PS 1 dhe LSI asnjë mandat.
Një ditë më parë, po ky institucion pranoi kërkesën e PS-së duke e cilësuar të paligjshëm rinumërimin e votave nga ana e KQZ-së për qarkun e Lezhës. Vendimi mbërriti në ditën kur në KQZ po numëroheshin votat e Qarkut të Shkodrës.
Pavarësisht këtij vendimi, KQZ nuk ndërpreu rinumërimin në Shkodër duke argumentuar se vendimi i Kolegjit ishte vetëm për qarkun e Lezhës.
