E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Olldashi: Basha u zgjodh në krye të PD-së nëpërmjet një procesi të deformuar (VIDEO)

olldashiOlldashi del në konferencë për shtyp nga Ministria e Transporteve, refuzon selinë e PD-së

Kandidati për kreun e PD-së, Sokol Olldashi, në një konferencë për shtyp, ka thënë se gara e fituar nga ana e Lulzim Bashës, ka qenë e deformuar. Ai tha se mijëra anëtarë të PD-së mbetën pa votuar, ndërkohë që mijëra persona të tjerë u regjistruan si anëtarë javët e fundit. Olldashi ndërkohë akuzoi se gara ishte e pabarabartë, duke qenë se Basha u favorizua.

Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar.

Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve.

Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD.

Procesi, për të cilin mu dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë.

Intimidimi u kurorëzua me fletën e numerizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm, tha Olldashi.

Sipas tij, energjitë që demokratët duhet t’i harxhonin më 23 qershor, i harxhuar më 22 korrik.

Kjo ishte një energji e tepërt e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 qershor dhe jo më 22 korrik. Ishte një gabim.

Megjithatë, gjatë gjithë fushatës sime brenda strukturave të demokratëve, kam insistuar se ne duhet të identifikojmë gabimet dhe mbi to të ndërtojmë eksperienca pozitive.

Shpresoj vërtet që do të kemi inteligjencën ta bëjmë këtë.

Kam insistuar që produkti i parë i 23 korrikut, duhet të jetë shëndoshja e Partisë Demokratike. Dje nuk e bëmë, por duhet të fillojmë ta bëjmë që sot, tha ai.

Pavarësisht manipulimit, Olldashi u shpreh se do të përfaqësoj me gjithë energjitë militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë.

Unë i ftoj të gjithë demokratët që nuk janë ndjerë mirë me këtë proces, të kuptojnë se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, e ndërtuar me kontributin vullnetar të secilit prej nesh dhe, në një shtëpi të madhe, qëllon që edhe prishen rregullat apo humori. Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi anëtarë të së njëjtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi.

Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë.

Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për tu dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare, një veprim politik opozitar dhe një platformë të qëndrueshme mbi të cilën të mblidhet shumica e shoqërisë së këtij vendi, e mbylli fjalën e tij Olldashi./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›