E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Kryebashkiaku i Kukësit denoncon Mulin tek Arvizu: Na krijon probleme me eskortën e tij (VIDEO)

arvizu

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka vizituar ditën e sotme qytetin e Kukësit, duke takuar të rinj që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

Arvizu është takuar edhe me kryebashkiakun e Kukësit, Hasan Halilaj, që së fundmi vendosi të marrë teserën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke braktisur Partinë Demokratike.

Kryebashkiaku Halilaj i është ankuar Arvizusë për sjelljen e ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, që kryeson listën e kandidatëve demokratë në qarkun e Kukësit.

Halilaj tha se eskorta e tij krijon probleme, ndërsa i bëri thirrje Nokës që të distancohet nga veprimet e policisë.

Para pak ditësh LSI u ankua se policia ka ndaluar qëllimisht në Kukës një automjet ku udhëtonin kandidatët e saj për këtë qark, duke penguar ata që të bëjnë lirshëm fushatë.

Pas takimit me të rinjtë në Kukës, Arvizu deklaroi se shpreson se të rinjtë të votojnë me zgjuarsi.

Doja vetëm tju thoja se vizita ime sot në Kukës ka qenë e mrekullueshme. Sapo përfundova një takim me të rinj. Ata kishin pyetje shumë të mira dhe së bashku folëm për shumë gjëra, përfshirë dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ashti siç mund të pritej, kishte edhe pyetje mbi zgjedhjet. Mesazhi im thelbësor ishte i dyfishtë: unë u thashë që shpresoj që ata ta ushtrojnë të drejtën e votës dhe se shpresoj që të zgjedhin me zgjuarsi. Dhe u thashë që shpresoj të zgjidhni me zgjuarsi dhe vetë. Nëse jeni në moshë për të votuar dhe nëse jeni në moshë për të marrë vendimet tuaja; askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë për ju./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›