TemA TV/ LSI denoncon Flamur Nokën: Po ushtron terror ndaj simpatizantëve tanë (VIDEO)
LSI ka denoncuar veprimet e fundit të ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, i cili është duke ushtruar presion ndaj votuesve të majtë në qarkun e Kukësit. Sekretari për çështjet ndërkombëtare në LSI, Ralf Gjoni, ka thënë se Noka, duke përfituar nga posti, po kryen terror ndaj simpatizantëve të kësaj partie.
Para 3 ditësh, pra në dt 16 qershor, kreut të LSI në Fshatin Crnalevë Komuna Shishtavec, z. Eshref Islami, i është bërë kontroll dhe bastisje në shtëpi nga efektivë të policisë së shtetit pa patur mandat. Më pas z.Islami është shoqëruar në komisariat ku është mbajtur për rreth 4 orë.
Sot në mëngjes, ndërsa Ministri i Brendshëm dhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike Flamur Noka vijonte takimet e tij elektorale, është telefonuar kryetari i LSI dhe këshilltar në Komunën Topojan z.Rustem Ahmeti dhe i është kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë, pa asnjë lloj arsyeje.
Po sot, është ushtruar terror mbi kandidatin për deputet të LSI në Has, z.Pëllumb Bardhoshi si dhe mbi të afërmit e tij. Forcat speciale dhe efektivë të policisë së shtetit, kanë zbarkuar në mënyrë të dhunshme Lagjen Bardhosh të fshatit Qarr në Rrethin e Krumës duke hyrë në shtëpitë e anëtarëve dhe mbështetësve të LSI, të të afërmve të kandidatit, dukë bërë bastisje dhe kontroll të pamandatuar.
Ndërkohë, sot në mëngjes është shoqëruar edhe shoferi i z.Bardhoshi në komisariatin e Hasit pas ndërhyrjes së rreth 30 efektivëve të policisë dhe të forcave speciale. Shefi i krimeve të zonës Shpëtim Maçi ka qenë prezent. Kur është kërkuar nga z. Bardhoshi për arsyen e kësaj sjelljeje të paligjshme dhe të dhunshme, përgjigja nga policia ka qenë së nuk mund të jepen shpjegime, por se ka pasur urdhër nga lart, tha Gjoni.
Sipas Gjonit, Noka vepron me bekimin e Berishës:
Eshtë e qartë se Flamur Noka po kthehet nga ministër në shkatërrues të zgjedhjeve me bekimin e Sali Berishës. Dua që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të paralajmëroj Ministrin e Brendshëm Noka dhe të gjithë ata individë që kanë ndërmarrë një operacion kaq të shëmtuar terrori ndaj kandidatëve, aktivistëve, mbështetësve të LSI apo të çdo force tjetër politike, se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për aktivitetin kriminal, intimidues dhe kërcënues që kanë ndërmarrë.
Ai u shpreh se LSI e ka denoncuar këtë akt tek ndërkombëtarët, ndërsa pohoi se Noka do të mbajë përgjegjësi ligjore.
LSI bën thirrje që do mbajë përgjegjësi ligjore për aktivitetin kërcënues deri në veprime kriminale dhe klimën deri në terror në këtë qark. Për këto arsye kemi kontaktuar sot me zyrën e OSBE, të BE-së dhe ambasadën e SHBA-së se do të marrim të gjitha hapat e nevojshme për këto raste. Ne nuk do zmbrapsemi, përkundrazi do punojmë edhe më fort për të siguruar fitoren, përfundoi Gjoni./b.l