E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Luftë sherifësh në mes të Laçit, plagosen dhe kalimtarët (VIDEO)

vrasjaNga Lindita Çela

Dy të vdekur e tre të plagosur është bilanci tragjik i përplasjes me armë mes dy grupeve në qendër të Laçit.

As prezenca e forcave RENEA, që ndodheshin në qytet, duket se nuk ka mjaftuar për të ndalur krimin në një prej zonave më problematike në vend.

Grupet e të fortëve janë përballur në mes të qytetit dhe pa të keq kanë nxjerrë armët duke luftuar me njëri-tjetrin si në filmat me sherifë.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit janë plagosur dhe kalimtarë të rastit, ndërkohë që policia bën të ditur se motivi i konfliktit, mes dy fiseve është për arsye prone.

Ngjarja ka shkaktuar panik në gjithë qytetin. Shumica e dyqaneve janë mbyllur, ndërkohë që asnjë prej dëshmitarëve nuk ka pranuar të rrëfejë konfliktin që shkaktoi dy viktima dhe tre të plagosur.

Policia deklaron se po heton për ngjarjen, ndërkohe që ka përjashtuar mundësinë se vrasjet të kenë lidhje me politikën, kjo për faktin se pikërisht ditën e votimit, po në qendër të qytetit u ekzekutua një simpatizant i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ngjarja

Pa kaluar ende 48 orë nga vrasja e Gjon Gjonit, qyteti i Laçit tronditet sërish nga shkëmbimi i zjarrit.

Pal dhe Lek Syziu, përkatësisht 60 dhe 45 vjeç, kanë mbetur të vdekur, ndërsa janë plagosur Arben Krosi 43 vjeç dhe kushëriri i tij, Erik Krosi, 26 vjeç.

I plagosur në ngjarje ka mbetur dhe Ndrec Prendi, 56 vjeç, që sipas policisë, nuk ka pasur asnjë lidhje me konfliktin, por ka qenë kalimtar i rastësishëm në momentin që dy grupet kanë qëlluar njëri- tjetrin.

Fillimisht vëllezërit Syziu kanë debatuar ashpër me anëtarët e fisi Krosi.

Mes burrave debati ka qenë i fortë dhe fyes e më pas kanë nxjerrë armët duke qëlluar, dhe më sa duket, qitësit më të shpejtë kanë mbetur të gjallë.

Përplasja me armë ka shkaktuar vdekjen në vend të Lek Syziut dhe plagosjes së vëllait të tij dhe dy kushërinjve Krosi.

Pas plagosjes, Pal Syziu dhe kushërinjtë Krosi janë sjellë me urgjencë në spital në gjendje të rëndë.

Pikërisht aty ka ndërruar jetë edhe Pal Syziu, ndërsa në vdekje klinike ndodhet Arben Krosi, ndërsa Eriku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Burime të policisë së Laçit bëjnë të ditur se kanë vendosur masën e arrestit ndaj Arben dhe Erik Krosin, edhe pse janë në spital në gjendje të rëndë.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe plumbave të gjetur në trupin e viktimave, dyshohet se autori i vrasjes së dy vëllezërve Syziu të jetë Arben Krosi.

Ndërkohë që nga të dhënat e para bëhet e ditur se konflikti mes Arben Krosit dhe vëllezërve Syziu kishte nisur prej dy vitesh, për shkak të truallit ku ishte ndërtuar një lokal që posedohej nga viktimat.

Së fundmi Arben Krosi u kishte kërkuar vëllezërve Syziu një qira për kohën e shfrytëzimit të truallit që pretendohej prej tij. Por kjo kërkesë është kundërshtuar prej kohësh nga familja Syziu, që duhet thënë se janë dhe pronarë të një sërë objektesh në zonën ku ka ndodhur ngjarja.

Mosarritja e një marrëveshje mes tyre është bërë shkak që ky konflikt të degjenerojë në përdorimin e armëve duke shkaktuar  një kasaphanë në mes të qytetit.

Ndërkohë, në familjen Syziu janë hapur dyert e mortit. Të afërmit e të dy viktimave nuk pranojnë të dëshmojnë me ngjarjen, qoftë dhe për faktin se konflikti i pronësisë, sipas tyre, ishte një sajesë, pasi ligjërisht ata kanë përfituar pronësinë në bazë të një kontrate noteriale.

Ndërkohë policia thotë se po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit të Lezhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›