E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë sot jam me PD-në

bld (1)Nga Bledi Mane- Public Enemy

1./

Më dhimbset. Po ndjej mëshirën të më kaplojë të tërin tek shikoj që partia famëmadhe e pushtetit 13 vjeçar u gdhi e shkërmoqur, e vetmuar.

Jam krah kësaj partie që lindi si shpresë e purpurt në kulmin e depresionit të shqiptarëve në fillim të 1990-ës e tashmë ndjehet e braktisur dhe e sëmurë.

Qysh prej së dielës mbrëma u zhdukën prej saj ata që e vodhën, e molën, e shkërdhyen, e dhunuan, e dëshpëruan.

Ata eunukë që nuk kanë guxim të dalin hapur e tu flasin demokratëve që humbja është aq njerëzore sa edhe fitorja.

Të gjithë i kanë ikur PD-së duke e lenë vetëm dhe lakuriq porsi një e përdalë ndanë semaforit. I janë larguar si tutorë batakçinj dhe frikacakë me paratë nën sqetull tek zhduken nëpër terr për tu mos u bërë të gjallë kurrë.

Ia gërryen mish e kocka, ia grisën cipën, fustanin, brekët. Ia thithën edhe pikën e fundit të qumështit nga gjokset e thara dhe abuzuan me të si të ishte e askujt, pa zot.

Bukuroshja që la gojëhapur këdo në pranverën e 1992-shit dhe bëri për vete orient e oksident nuk ndjehej kaq e poshtëruar as kur kërciste patllakja e 1997-s.

Vetëm e kanë lenë, e kanë katandisur PD-në për Zyber Hallull, por edhe te kjo shtëpi jetimësh nuk e çon dot, nuk ka çfarë të hajë e të pijë.

Kanë vjedhur edhe këtu lapanjozët e pushtetit. Më dhimbset kjo parti bluja e së cilës ka dalë nga moda qyshkur Mziu i Kamzës leu informalitetin e një kapitalizmi të coptuar krahinist.

Më dhimbset kjo parti sepse Shkodra iu hakmor sikur ta kishte pjellë vetë kjo parti Jozefinën dhe dyfish më dhimbset sepse kërkojnë t’ia shesin tashmë një kurve si Lul Basha, i/e cila vetë ka nevojë për një tutor.

E turpshme dyfish kjo humbje. Pa kurajo, elita e zagarepsur drejtuese ende fshihet. Elitë e pompuar artificialisht me entuziazmin dhe këmbënguljen e një plaku të vetëm, dembelosur dhe dhjamosur nga paidhaqet e pushtetit kujtoi se do zvarritej edhe katër vjet të tjera mbi fukarallëkun dhe vuajtjet e qytetarëve.

Qytetarët e këtij vendi duruan gjatë, u poshtëruan gjatë, hëngrën bar 8 vjet, por porsi tuniziani Ganuchi nuk dogjën veten të gjallë, por me votë plebishitare ua dogjën maskaradën e pushtetit.

Ndaj ti Besnik, Sokol, Mark, Ilir, Bamir e të tjerë më pak të përlyer mëkatarë mblidhuni dhe filloni shpëlarjen e mëkateve. Bëhuni burra e teksa reformoni veten dhe partinë përgatituni për 8 vitet e gjata të opozitarizmit.

Mos imitoni të ndjerin Berishë e mos përçani jug e veri.

Lërini kosovarët në hallet e tyre e mos kërcënoni votuesit e republikës tuaj me dyndje kushërinjsh për marrje pushteti. Çjozefinoni komunikimin dhe marrëdhëniet me kundërshtarin, Çargitëzoni pushtetin nga tarafet dhe tribalizmat, çshkëlzenoni profitet e miqësisë së fëmijëve tuaj dhe përpiquni me punë të integroni veten dhe vendin.

Më dhimbset partia dhe forumet e së cilës i kam krijuar edhe unë, por ky ndëshkim nevojitej. Bëhuni një herë të vetme trima pa gardistët nëpër këmbë.

Largoni snajperat nga tarracat, zhvishni jelekët antiplumb, qëroni nga vetja të nëmurit plangprishës, merrni në dorë një mikrofon e shfaquni ekran më ekran duke klithur me duf e turp:

-Po, ne humbëm sepse e kishim bërë mutin kala. Ne vodhëm vota, tendera, ilaçe, pushtet, rrugë, gra, burra, dashnore, fëmijë, kërcënuam, vramë, minimizuam liritë, penguam sipërmarrjet, monopolizuam ujë e tokë e det e ajër… Kjo është koha e beharit të vetmisë së madhe dhe ne do e durojmë dhimbjen e poshtërimit kolektiv. Jepnani kohë të reflektojmë por ndërkohë të opozitarojmë fort që pushtetarët e rinj të mos na kopjojnë ne në qeverisje.

2./

Unë jam krah militantëve dhe anëtarëve idealistë që 8 vjet rresht nuk përfituan, por u dhanë me shpirt. Jam krah partisë me flamur blu të grisur, e cila nga nesër duhet të pastrojë dhe kastrojë veten nga mëkatet e një doktori të sëmurë, të cilin nuk ka doktor që e merr më në dorë.

Ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të fala Sandrit, Kaçit, Fahros, Naimit, Blendit, Tan Hoxhës, Qim Pekës, Jaranit, Gencërve…

fb.com/bledi.mane

twitter.com/blediMANE

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›