TemA TV/ Meta në Berat: Berisha do vijë këtu si turist pas 23 qershorit. Naço: Meta, kryeministri i Shqipërisë (VIDEO)
Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar kandidatët e saj në një tjetër qark me pretendime të forta, në qarkun e Beratit.
Kryetari i LSI, Ilir Meta, tha se Berisha e ka diskriminuar Beratin. Ai shtoi se pas 23 qershorit, Berisha do vijë si turist në Berat.
Kryeministri në largim e ka diskriminuar Beratin si asnjë qark tjetër në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre 8 viteve. Ai dhe qeveria e tij, jo vetëm që nuk kanë dëgjuar zërin tuaj, por njëkohësisht nuk kanë dëgjuar as zërin tim, as zërin e deputetit të Beratit, Nasip Naços, në parlament dhe kudo, për të treguar jo ndonjë dashuri shumë të madhe për Beratin, Skraparin dhe Kuçovën, se atij i ka mbetur ora për këtë qark akoma në referendumin e 94-ës. Por të tregonte dhembshurinë më të pakët që mund të tregohet ndaj këtij populli, u shpreh Meta.
Ne jemi njerëz bujare, mikpritës, tolerantë. Pas 23 qershorit nuk do ta presim Berishën si kryeministër se ai me votën tuaj, të gjithë shqiptarëve, do të shkojë në opozitë. Por ne do ta presim si turist, të vizitojë kalanë, malin e Tomorrit, Kanionet. Berati në 23 qershor do ti thotë jo diskriminimit që iu bë këtij qarku. Jam i bindur se Berati nuk do të pajtohet me mendësitë totalitare ku ligji shërben si hanxhar kundër njerëzve të pambrojtur, vijoi Meta.
Por ra në sy deklarata e kandidatit Nasip Naço, që tha se Ilir Meta do jetë kryeministri i ri i shqiptarëve.
Me votën tuaj bëjmë Metën kryeministër të Shqipërisë. Ilir Meta është kryeministri më i suksesshëm i së majtës. Meta kryeministër do bëjë më shumë së gjithë të tjerët. Eshtë një lider i provuar këto vite, u shpreh Naço./ep