E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ PS: Berisha dështoi me partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë. Është primitiv (VIDEO)

dadePartia socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se ka dështuar me partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë, siç janë SHBA dhe BE. Deputetja Arta Dade i është referuar sidomos retorikës së tij nacionaliste dhe veprimeve të fundit me KQZ-në, që sollën përplasjen e Berishës me SHBA dhe BE.

Berisha ka dështuar në marrëdhëniet me partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe ka dobësuar profilin e vendit që në rrafshin rajonal priret nga strategjia e bashkëpunimit dhe e stabilitetit; ai dështoi në ndërtimin e Shqipërisë Europiane; ai dështoi në garantimin e lirive që janë thelbi i demokracisë; ai nuk garantoi zgjedhje të lira e të ndershme.

Me mendjengushtësisë e tij politike po asgjëson dita ditës hapësirat për dialog dhe bashkëpunim politik, tha Dadë në një konferencë.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian janë tashmë problematike

Sali Berisha refuzoi mesazhet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kërkesat dhe paralajmërimet e tyre për të mos cënuar pavarësinë e KQZ-së. Ai është gjithnjë e më i izoluar, për shkak të frikës gjenetike për të pranuar humbjen, humbjen që vjen prej vullnetit të lirë të qytetarëve, të shqiptarëve të bashkuar.

Shqipëria nder vite ndërtoi një politikë të jashtme rajonale në harmoni me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, në mbrojtje të Kosovës dhe të faktorit kombëtar në rajon, vijoi ajo.

Dade ka thënë se Berisha jo vetëm që nuk ka ndihmuar në procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës, por e ka dëmtuar atë me nacionalizmin primitiv, që gjithashtu e ka përplasur Shqipërinë me partnerët e vet strategjikë.

Sali Berisha dështoi me Kosovën, jo vetëm që nuk e ndihmoi procesin e njohjes së mëtejshme të shtetit të pavarur por e vuri në rrezik këtë proces për shkak të retorikës së nacionalizmit primitiv, pas së cilës rreket të fshehë dështimet e njëpasnjëshme që po rrënojnë vendin. Koston e papërgjegjshmërisë së tij e paguajnë shqiptarët dhe Shqipëria përkundrejt rajonit e Europës.

Sali Berisha zbehu rolin e Shqipërisë si partner serioz i botës demokratike, i Shteteve të Bashkuara dhe i Bashkimit Europian, të cilët shprehën shqetësime serioze se kjo retorikë primitive përbënte kërcënim për klimën e bashkëpunimit dhe stabilitetit demokratik rajonal.

Kjo retorikë dhe kjo qasje,gjithashtu bie ndesh me interesat rajonal të partnerëve tanë të NATO-s dhe vendin e çon në një kurs përplasje me partnerët tanë strategjik, tha deputetja socialiste./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›