TemA TV/ KQZ miraton vendime me vetëm 4 anëtarë. Osmanaj (ai që i çonte SMS Flamurit) thotë se ndihet komod (VIDEO)

Hysen Osmanaj
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar punën e vet edhe pse dy prej anëtarëve të saj kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa një tjetër ka ngrirë marrëdhëniet me KQZ-në.
Mbledhja është shoqëruar me debate të shumta. Përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, ka thënë se shkarkimi i Ilirian Muhos ishte si një proces publik i gjyqeve të bëra në kohën e diktaturës.
Në anën e majtë tuajën zonja kryetare është ulur zoti Zguri, që do kisha dëshirë ta uroja për detyrën e re, pasi mendoj që çdokush që ulet aty përgëzohet për misionin, por më lejoni të them që e kam të pamundur, pasi pak ditë më parë një koleg u shkarkua pa të drejtë nëpërmjet procedurave dhe vendimmarrjes që më ngjasonte me gjyqet publike të kohës së diktaturës. Ajo vendimmarrje nuk cenoi vetë anëtarin, por preku legjitimitetin e KQZ-së dhe të këtij procesi. Tashmë një gjë të tillë e thonë të gjithë partnerët ndërkombëtarë që kujdesen që Shqipëria të largohet nga mentalitetet e komunizmit dhe të marrë rrugën drejt demokracisë europiane. Tre karrige bosh, flasin shumë, tregojnë që institucionet janë të kapura nga politika. Sot KQZ është kthyer në një organ politik. Veprimi i fundit i Kuvendit më ngjan me zgjedhjet e vitit 2011 ku në përfundim të zgjedhjeve, KQZ-ja e asaj kohe ndryshoi rregullat e lojës kur gara kishte përfunduar, ndërsa sot u ndryshua arbitri i kësaj loje, kjo ndodh sa herë ndjeni frikën e mazhorancës, tha Gjonçaj.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, ka thënë se nuk KQZ nuk duhet bërë deklarata politike, ndërsa ka premtuar zgjedhje të lira, pavarësisht se për momentin KQZ është e cunguar.
Nuk është hera e parë që mungojnë 3 anëtarë. Edhe në 2011 nuk erdhën për tre muaj, donin të sabotonin procesin zgjedhor. Po tentohet ti bëhet presion KQZ, por procesi do vazhdojë, do bëjmë të gjitha përpjekjet që zgjedhjet të bëhen sa më të mira më 23 qershor, tha ai.
Ndërsa anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, propozuar nga PD, ka thënë se ndihet komod, pavarësisht mungesës së tre kolegëve të tij, dy prej të cilëve kanë dhënë dorëheqje.
Ne jemi legjitim në këtë tavolinë, ne jemi betuar për të zhvilluar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike. Ne vërtetë na propozon politika, por ne nuk kemi vepruar ndonjëherë si njerëz politikë, kemi zbatuar detyrën dhe kodin. Unë jam shumë komod në këtë tavolinë, tha Osmanaj, njeriu që i raportonte me SMS direkt Flamurit në zgjedhjet lokale.
Pavarësisht situatës së krijuar, KQZ shqyrtoi dhe miratoi me 4 vota pro disa projekt vendime të rëndësishme.
KQZ shqyrtoi projektvendimin Për regjistrimin si subjekt zgjedhor të 72 partive politike, për zgjedhjet për Kuvend të datës 23.06.2013., sipas listës së paraqitur në KQZ.
Nga 72 parti politike që kanë paraqitur kërkesë për tu regjistruar si subjekte zgjedhore në zgjedhjet e 23 qershorit, KQZ miratoi kërkesën e 67 prej tyre.
KQZ vendosi rrëzimin e kërkesës për 5 parti politike për shkak të dorëzimit në KQZ të dokumentacionit jo të saktë apo jashtë afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
KQZ miratoi projektvendimin Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar, i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zotit Alket Troka si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Fier.
Gjithashtu u miratua projektvendimi Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar, i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zonjës Laureta Gjoni si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Vlorë si dhe projektvendimi Për regjistrimin e Komitetit Nismëtar i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zotit Skënder Tufa si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Tiranë.