TemA TV/ Rama: Berisha është duke e çuar vendin drejt humnerës financiare (VIDEO)
Kryesocialisti Edi Rama, duke folur gjatë një konference për shtyp, ka akuzuar kryeministrin Berisha se është duke e çuar vendin drejt një humnere financiare. Sipas Ramës, prej 5 vitesh vendi nuk është duke njohur rritje ekonomike.
Sot vendosa ti kushtoj një konferencë të posaçme gjendjes së biznesit, për tju thënë disa të vërteta dramatike që bazohen në shifra zyrtare. Ju e dini që shifrat zyrtare janë shumë larg shifrave të realitetit mbytës për sipërmarrjen e madhe dhe të vogël në Shqipëri. Megjithatë, mbi bazën e shifrave zyrtare, qysh prej janarit të vitit 2011 janë mbyllur më shumë se 19 mijë biznese, që do të thotë se nga janari i vitit 2011 mbyllen 23 biznese në ditë, ose një biznes në orë. Ndërkohë që, të dhënat fiskale të 4-mujorit tregojnë se të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që është treguesi më i thjeshtë, më i drejtpërdrejtë, më i qartë dhe më domethënës për gjendjen e ekonomisë janë më të ulëtat në 5 vitet e fundit. Janë edhe më të ulëta se sa në vitin 2009, kur kjo qeveri grabiti votat dhe i dha vetes një mandat të dytë në kundërshtim me vullnetin e popullit sovran. Vetëm prej inflacionit duhej të ishin të paktën 10% më shumë. E çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se nëse vlera e shtuar nuk është rritur, por është ulur, atëherë ekonomia ka 5 vjet që nuk rritet asnjë milimetër, përkundrazi tkurret, tha Rama.
Rama tha se biznesi i vogël po shkon drejt rrënimit, ndërsa të ardhurat nga taksat janë më të ulëtat e këtyre viteve.
A e kuptoni se sa e domosdoshme është që të rilindë ekonomia duke filluar nga rilindja e biznesit të vogël?! Prandaj, ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël në 100 ditët e para të qeverisjes. Ne do ta përgjysmojmë tatimin e fitimit të biznesin të vogël në 100 ditët e para të qeverisjes. Ne do të vendosim lirinë e konkurrencës në rrugën e gjithë sipërmarrjes së madhe në 100 ditët e para të qeverisjes. Do të krijojmë për sipërmarrjen e madhe ato kushte që të marrë frymë lirisht se për ndryshe duke u mbytur sipërmarrja e madhe, duke u shkatërruar biznesi i vogël, po mbytet dhe po shkatërrohet ekonomia shqiptare, vetë Shqipëria ekonomikisht dhe financiarisht, theksoi Rama.
Rama premtoi se pas ardhjes së PS-së në pushtet, biznesi do të rilindë, ndaj dhe për këtë ai kërkoi që Berisha të ndëshkohet me votë.
Për ta mbyllur me një të dhënë që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, por që tregon se ku jemi katandisur; Duhet ta dinë të gjithë prindërit se shkumësat e blerë me lekët e shtetit për shkollat 9-vjeçare nuk bëjnë. Rezulton se mësuesit duhet të blejnë vetë shkumësat për të bërë mësimin. Çdo mësues me një llogari shumë të thjeshtë shpenzon në vit 55 dollarë për shkumësa. Të gjithë mësuesit së bashku, nga të ardhurat e tyre, nga ato rrogat e dyfishuara të Saliut që nuk mjaftojnë për të blerë as gjysmën e atyre që blinin për shtëpinë 8 vite më parë, kanë shpenzuar 1.1 milionë dollarë për shkumësa shkolle. Ja kjo është gjendja ku gjendet, sot, Shqipëria dhe ku gjendet e ndikuar nga marrëzia ekonomike dhe nga dritëshkurtësia e politikave financiare familja jonë e përbashkët dhe familja e zakonshme shqiptare, biznesi i vogël, sipërmarrja e madhe dhe të gjitha fushat e tjera të jetës. Një element thashë nga arsimi, po në çdo fushë është e njëjta gjendje. Kështu ekonomizohen paratë e shqiptarëve! Kështu po dërmohet Shqipëria dhe po dërmohet shtylla vertebrore, që mban në këmbë këtë vend dhe këtë popull, që është ekonomia.
Për të rilindur ekonominë në 23 qershor ka vetëm një rrugë. Vota për PS-në, për të vetmin program qeverisës që e shpëton vendin nga kriza, për të vetmin program qeverisës që hap rrugën për investime dhe për punësim, për të vetmin program qeverisës që nxjerr arsimin nga tuneli gjithmonë e më i errët ku 57% e atyre që janë sot 15 vjeç janë analfabetë funksionalë dhe ku 15% janë analfabetë total dhe me radhë në të gjitha fushat e tjera, tha Rama./ep