TemA TV/ Rama në Koplik: Berisha ska lidhje me të djathtën. Doshi: Berisha e ka spostuar Jozefinën (VIDEO)
(E PERDITESUAR)- Të tillë miting entuziast nuk ka organizuar më parë Partia Socialiste në qytetin e Koplikut, në skajin më verior të vendit.
Me mijëra njerëz dolën në shesh për të ndjekur takimin elektoral të Partisë Socialiste, e cila është zotuar se goditjen e madhe do e bëjë në Shkodër.
Fillimisht ka folur kandidati Tom Doshi, që tha se do marrin shtatë deputetë në këtë qark. Ai u shpreh se Berisha e ka braktisur Jozefinën, duke e zëvendësuar me Majlindën.
Në vitin 2009 unë isha i ndarë me Paulinin. Por sot jemi bashkë. Kundërshtari ynë merret përditë me ne, sepse e sheh humbjen dhe humbjen më të madhe do ta ketë në Shkodër.
Brenda kandidatëve që ka venë Sali Berisha ka probleme të trashëguara.
Përfaqësuesi i PD në Malësinë e Madhe e ka pas quajtur Jozefinën moldave.
Probleme kanë me njëri-tjetrin, por problemi më i madh është mes Jozefinës dhe Salës, sepse deri në 2009-ën Jozefina nuk la asnjë grua që të përfshihet në politikë.
Por tani ia ka zënë vendin Majlinda.
Pleqëria bën të vetën dhe Sala e ka spostuar Jozefinën.
Sot ishte dita e fundit e parlamentit dhe Jozefina sulmoi dy kolegët tanë. Dua ti them Jozefinës se Sul Bushati është një pensionist dhe baba i Tahirit është një qytetar i thjeshtë, por ti bëjua të qartë qytetarëve me çfarë i ndërtove vilat dhe me çfarë i bleve tokat.
Duhet ti tregosh Shkodrës korrupsionin që ke bërë me tenderat në arsim, rrugë, çdo investim që ka pasur në Shkodër.
Dua ti them Salës, a ka babë kryeministër dhe djalë si Shkëlzeni që vjedhin kështu? Jeni shembulli më i keq në Shqipëri. Me këtë mbështetje fitorja e PS-së në qarkun e Shkodrës do të jetë 7 deputetë për PS dhe 4 për PD. Fitore, fitore, tha Doshi.
Më pas e mori fjalën kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, që tha se Sali Berisha nuk ka lidhje me të djathtën dhe me antikomunizmin. Duke e lidhur këtë me faktin se ndodhej në një krahinë antikomuniste, Rama tha se nëse të parët e tyre do ngriheshin nga varri dhe do shihnin se ata mbështesin Berishën, do ua shkulnin veshin.
Nuk kemi dalë në këtë rrugëtim për të treguar përralla, përrallat ua tregon gjyshi me antiplumb, mjafton të hapni televizorin dhe keni gjyshin atje me 200 roje. Ne nuk kemi ardhur tju themi që Malësia e Madhe do të bëhet si Zvicra, por kemi ardhur të zotohemi se do tju japim një qeveri që do të jetë krah për krah me ju. Kemi ardhur të zotohemi se hallet e një familje të zakonshme shqiptare do jenë dhe problemet e qeverisë. Se shpresat dhe ëndrrat e këtij populli që kërkon të jetojë me punë të ndershme do të jenë ëndrrat dhe shpresat e qeverisë. Zgjedhja në 23 qershor është o me një pushtet në qafë, o me një qeveri në krah, deklaroi Rama.
Në përgjigje të ironisë së kryeministrit Berisha për autobusin e PS-së, Rama tha: Thotë mavi, që në turqisht do të thotë blu, flamuri i PD. Ta mësojë se nuk e kanë fajin ngjyrat, por ata që nuk i njohin ngjyrat. Ata që i ngatërrojnë ngjyrat. Që duan ngjyrat për ta, kur populli jeton bardhezi. Thotë autobusi, autobusi, më mirë në autobus me kolegë e me miq apo me antiplumb e me 200 roje e me Benz të blinduar. Si thoni ju, më mirë me një autobus të marrë me qira si njerëz të zakonshëm të këtij vendi, për të treguar se Shqipëria mund të rilindë, apo me jelek antiplumb, makinë të blinduar e me sheshe të mbushur me rrogëtarë të shtetit, që i detyrojnë të mbushin sheshet se ndryshe i largojnë nga puna./ep