Tom Doshi: Saliu është i punësuari i Shkëlzenit. Biri i kryeministrit përgjigjet duke sulmuar Ramën

Shkëlzen Berisha
Nga Shkodra, deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi, rreshtoi një seri akuzash ndaj të birit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha.
Duke folur në takimin e organizuar në prani të kreut të PS, Edi Rama në fshatrat e Shkodrës, Doshi tha se Shkëlzen Berisha është sekseri i pushtetit, madje shtoi se Saliu është i punësuari i tij.
Doshi tha se ndërsa Berisha thotë përpara, Shkëlzeni merr koncesionet, ndërsa Berisha thotë përpara, Shkëlzeni merr tokat në bregdet.
Në akuzat e tij, Doshi përfshiu edhe ish- ministrin Dritan Prifti. Doshi tha se sa herë Zeni kishte nevojë për lekë, qeveria bllokonte Rezart Taçin dhe ai shkonte e paguante gjobën tek Shkëlzeni.
Doshi akuzoi edhe kryetaren e Kuvendit, e cila ndërkohë që Shkodra përmbytet, ngre vila.
Pas këtyre akuzave ka reaguar edhe djali i kryeministrit, që thotë se Doshi është një ordiner, që do përballet me drejtësinë së bashku me Ramën. Shkëlzeni thekson se ai i ka fituar të gjitha betejat me opozitën kur kanë shkuar në gjykatë.
Të njëjtin fat do të kenë edhe këto akuza të ambalazhuara nga Rama dhe të mbllaçitura nga goja e ordinerit Tom Boshi, që Shkodra dhe e gjithë Shqipëria e njohin si deputeti që ka diplomë universiteti, por i mungon ajo e shkollës tetëvjeçare.
Shqiptarët kuptuan sot cila është rilindja e Edi Ramës. Një rilindje që për orator ka doshët, kokëdhimët dhe skenarist Edi Boshin, thuhet në deklaratën e Shkëlzenit.
Duke ia lënë përballjen me shpifjet drejtësisë, e ftoj Mr. 20 përqindëshin që së bashku me premtimin për t’i falur gjobat bizneseve të Koçove dhe Doshëve, të mbajë premtimin për t’i shpjeguar opinionit se me çfarë parash është ndërtuar pallati pesëkatësh i gruas së tij në sheshin mes pallateve, apartamentet e shumta në emër të saj, si dhe sarajet e tij qindra- mijëra euro në malin e Dajtit.
Ju jeni politikani i vetëm në 20 vite që garoni, duke pasur në shpinë pallat dhe vilë, që kanë kushtuar së paku 2 milion euro, e për të cilat jo vetëm nuk është paguar asnjë taksë, por mbi të gjitha u mungon burimi, vijon deklarata./ep