TemA TV/ Rama premton legalizime të shpejta dhe i dërgon sinjal Bashës: Erdhi fundi i ndërtimeve pa leje (VIDEO)
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbajti një fjalim përpara banorëve të Tiranës, të mbledhur për të festuar fitoren në kryeqytet.
Rama tha se askush nuk duhet të ndjehet keq nga fitorja e opozitës.
Ne nuk duam që qoftë edhe një shqiptar i vetëm të ndjehet keq duke na parë të buzëqeshur dhe duke na parë të mbledhur për të falënderuar ata që e bënë të mundur këtë fitore, ndërkohë që dikush që na sheh, nuk ka votuar për ne. Sepse ne duam që ta mirëqeverisim Shqipërinë për të gjithë, për ata që na kanë zgjedhur dhe për ata që nuk na kanë votuar.
Por të gjithë atyre që nuk na kanë votuar dhe që na shohin të mblidhemi dhe tju falenderojmë juve, dua tu them sot se falë jush, falë punës suaj të palodhur, falë sakrificave tuaja, edhe ata janë çliruar, edhe ata kanë shpëtuar dhe këtë do ua provojmë jo me fjalë, por me veprat e qeverisjes sonë, tha Rama.
Kryetari i PS përsëriti premtimin për legalizim të ndërtimeve informale.
Ndjehem edhe më i lehtësuar tu them të gjithë atyre që presin shtëpitë për ti legalizuar se kanë shpëtuar nga kthetrat e atyre që i kanë përdorur. Sot ata kanë një mundësi të re. Shumëkush prej tyre nuk e ka menduar kurrë se do ishte PS që do sillte këtë mundësi të re. Por ne në fund të mandatit do bëjmë që gjithkush që ka ndërtuar shtëpi, do e ketë atë pronë të veten të regjistruar në hipotekë.
Ne nuk do e kthejmë procesin e legalizimit në një proces për të porositur vota, por do e bëjmë një proces ku do përfshihet çdo familje që ka nevojë për titullin e pronësisë, tha Rama.
Kryetari i PS i dërgoi një sinjal edhe kryebashkiakut Lulzim Basha.
Nuk dua që kushdoqoftë ta marrë si përgjigje për 2011-ën, por është çliruar edhe Tirana. Është çliruar Tirana dhe ka shpëtuar Tirana. Ne do provojmë se fundi i ndërtimeve pa leje është në dorën e një qeverie që i shërben vendit të vet, tha Rama, duke shtuar se janë çliruar edhe socialistët, që janë përndjekur.
Të gjithë ata që e kanë fituar të drejtën e kthimit në punë, do kthehen në punë. Ashtu sikundër ata që janë në punë nuk do ndjehet i kërcënuar nga fitorja jonë, nëse është në punë për meritë të vet, jo sepse është kushëri e mik i dikujt.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria sot e gjithë ditën është mbrapa të tjerëve në rrugën drejt familjes evropiane, sepse është e vogël, por është qëllimisht e përçarë në ne dhe ata. Në ata të jugut dhe ata të veriut. Harta e Shqipërisë, ajo që shqiptarët pikturuan me ngjyrën e purpurt të rilindjes është prova më kuptimplotë se shqiptarët e kuptojnë rilindjen si një shtet që u shërben të gjithëve pa dallim, theksoi Rama./ep