TemA TV/ Volfarth: Plotësimi i KQZ-së është dëshirë e imja, jo apel (VIDEO)
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, tha se do ishte mirë që të plotësohej Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai theksoi se kjo është një dëshirë e tij, jo një apel. Edhe pse detyra e institucionit që përfaqëson është të kujdeset për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri, Volfarth nuk guxon të bëjë apele, sidomos pasi kryeministri Sali Berisha sulmoi ashpër ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu, pse bëri apel për çështjen e KQZ-së.
E kam përmendur para disa ditësh pasja e një KQZ-je të plotë duhet të jetë në krye të listës së dëshirave. Ajo çka është më e rëndësishme, dëshiroj të them se ndiej një sens gjithmonë e më të madh konstruktiviteti këtu në vend, këtu në Shqipëri, në këto ditë të rëndësishme para zgjedhjeve, në këtë vit të rëndësishëm. Zgjedhjet dhe përgatitja e zgjedhjeve është një proces i rëndësishëm, ku qartas përfshihet KQZ-ja. Por edhe diskutimi nga partitë politike dhe liderët politikë rreth gjërave të tjera të rëndësishme që vijnë pas 23 Qershorit është shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm. Hapja e rrugës drejt integrimit të mëtejshëm evropian dhe, kështu, edhe drejt stabilizimit institucional, është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj unë uroj të merret sa më shpejt, duke përfshirë këtu edhe parlamentin. Por do të doja të theksoja se kjo është një dëshirë imja, duke e konsideruar veten një mik të shqiptarëve, nuk është një apel. Çdo gjë që do të vendoset në parlament do të jetë një vendim i duhur dhe sovran dhe unë sigurisht shpresoj që të jetë në të mirë të shqiptarëve. Kuptohet që të ashtuquajturat tri ligje janë shumë të rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është edhe lufta ndaj korrupsionit, trafikimit dhe disa problemeve të tjera të vështira. Siç e thashë, ndjenja në rritje e konstruktivitetit bëhet gjithmonë e më e dukshme dhe unë do të doja ta shihja më shumë./ep
